“Gjithmonë mendoj se jam më i miri”/ Mbappe nuk fshihet: Këtë vit synoj Topin e Artë

07/09/2026 15:51

Kylian Mbappé nuk e fsheh më ambicien për të fituar për herë të parë në karrierë Topin e Artë.

Sulmuesi i Real Madridit beson se ky mund të jetë viti i duhur për të triumfuar në garën individuale më prestigjioze në futboll, edhe pse vendimi përfundimtar u takon gazetarëve votues.

27-vjeçari vjen në garë me statistika mbresëlënëse. Sezonin e kaluar, Mbappé shënoi 42 gola në 44 ndeshje me fanellën e Real Madridit, edhe pse skuadra spanjolle nuk arriti të fitojë asnjë trofe.

Në Kupën e Botës, francezi fitoi Këpucën e Artë me 10 gola, ndërsa e çoi në 22 numrin e golave të shënuar në historinë e tij në turneun më të madh të futbollit. Megjithatë, Franca u eliminua në gjysmëfinale dhe e përfundoi kompeticionin në vendin e katërt.

Duke folur për mundësinë e fitimit të Topit të Artë, Mbappé e pranoi hapur se e konsideron veten një prej kandidatëve.

“Kur luan për Real Madridin, klubin më të mirë në botë, njerëzit të lidhin me këtë çmim. Ka shumë njerëz që flasin për mua dhe Topin e Artë. Sigurisht, kam bërë histori në kompeticionin më të rëndësishëm. Ndoshta ky është një vit i mirë për këtë, por njerëzit votojnë sipas asaj që mendojnë.”

Francezi nuk ngurroi as kur u pyet se ku e rendit veten mes futbollistëve më të mirë në botë.

“Unë gjithmonë mendoj se jam më i miri, por secili ka mendimin e tij. Ndoshta njerëzit mendojnë ndryshe. Nuk mendoj se është një diskutim që duhet ta bëjmë.”

Më pas, Mbappé e bëri edhe më të qartë synimin e tij: “Sigurisht që ky vit mund të jetë i mirë për mua për të fituar Topin e Artë. Por votojnë gazetarët.”

Top Channel