Ekskluzive/ “Në atë zonë ka një leje ndërtimi”, përplasja për pronën në Palasë, AZHT për Top Story: Kemi vënë kusht për dy aplikimet e Delta dhe Regina, vetëm nëse…
Juristi Ylli Manjani deklaroi në “Top Story” se konflikti për pronat në Breg është pasojë e një problemi sistemik të shtetit shqiptar, i cili, sipas tij, prej 36 vitesh nuk ka arritur të realizojë një regjistrim të plotë dhe të integruar të pronësisë.
Duke folur për dokumentet e ndryshme mbi të cilat qytetarët pretendojnë pronësinë, Manjani theksoi se jo çdo dokument ka të njëjtën fuqi për të provuar pronësinë.
“Çfarë është dallimi mes letrave? Jo të gjitha letrat provojnë pronësinë. Çdokush që ka në xhep një certifikatë pronësie, e ka në jetë të jetëve pronë të tij dhe shteti është i detyruar t’i përgjigjet asaj letre”, tha Manjani.
Sipas juristit, problemi thelbësor është se në zonën e Bregut nuk është kryer procesi që duhej t’u paraprinte lejeve të zhvillimit.
“Ka një proces të tërë që në Breg nuk ka ndodhur në 36 vitet e fundit. Është një defekt sistemik i shtetit. Shteti, para se të jepte leje zhvillimi, duhej të regjistronte të gjithë titujt e pronësisë në një hartë të integruar dhe pastaj të lëshoheshin certifikatat e pronësisë”, deklaroi ai.
Manjani argumentoi se është pikërisht harta e integruar kadastrale ajo që përcakton qartë pronën dhe kufijtë mes pronarëve.
“Pa atë certifikatë, çdo titull pronësie është i diskutueshëm. Është harta e integruar ajo që prodhon pronësinë. Në këtë hartë e di edhe kufitari im që kjo është prona ime. Kjo nuk ka ndodhur në Breg”, u shpreh juristi.
Sipas tij, deri në vitin 2024 në zonën e Bregut është operuar me regjistrime të pjesshme dhe jo me një regjistrim të plotë fillestar.
“Është operuar deri në vitin 2024 me regjistrime pjesore. Pra, në vend që Kadastra të bënte regjistrimin nga Palasa deri te Pema e Thatë në Ksamil, kjo gjë nuk ka ndodhur”, tha Manjani.
Ai argumentoi se përfundimi i këtij procesi do të kishte ndihmuar edhe në zgjidhjen e problemit të pronave të himariotëve.
“Kjo do të zgjidhte edhe problemin e himariotëve dhe kjo nuk është çështje greke, por çështje shqiptare”, theksoi ai.
Manjani tha se pas vitit 2024, përballë problemeve me regjistrimin, qeveria ndryshoi ligjin për t’i hapur rrugë dhënies së lejeve të zhvillimit.
“Pas vitit 2024 qeveria nuk priste dot, sepse e pa që kishte dështuar me regjistrimin. Tha: ‘Unë do të jap leje zhvillimi’ dhe ndryshuan ligjin”, deklaroi ai.
Duke iu referuar konflikteve që krijohen kur mbi të njëjtën pronë paraqiten pretendime të ndryshme, Manjani solli si shembull rastet kur ekziston një AMTP.
“Në rast se ka pretendim tjetër me AMTP, Kadastra e ndërpret regjistrimin”, tha ai.
Për Manjanin, përgjegjësia për situatën e krijuar duhet kërkuar fillimisht te institucioni që kishte detyrimin të realizonte regjistrimin fillestar të pronave.
“Përgjegjësia fillon nga Kadastra. Kadastra nuk ka bërë detyrën që të bënte regjistrimin fillestar”, përfundoi juristi Ylli Manjani në “Top Story”
Top Channel