Birra, thumbime, simulime dhe përplasje ballë për ballë, Amorim, sa tensione të përjetuara me Sergio Conceiçao
Afati i transferimeve për lojtarët e regjistruar mund të jetë mbyllur, por tregu i futbollistëve të lirë vijon të jetë i hapur.
Lazio po shfrytëzon këtë mundësi për të përforcuar skuadrën e Rino Gattusos, me Diogo Leite që është kthyer në objektivin kryesor.
Klubi italian ka intensifikuar kontaktet me përfaqësuesit e Diogo Leite, mbrojtësit qendror portugez që së fundmi ishte pjesë e Union Berlin.
Sipas raportimeve, negociatat kanë avancuar ndjeshëm dhe një marrëveshje përfundimtare mund të arrihet shumë shpejt.
Lazio i ka ofruar Leites një kontratë katërvjeçare, me një pagë prej rreth 1.7 milionë euro në sezon, plus bonuse. Oferta duket se është konsideruar e kënaqshme nga rrethi i lojtarit dhe në Itali raportohet se “tymi i bardhë” mund të dalë që sot.
Leite është parë si një alternativë për të kompletuar repartin defensiv të skuadrës së Gattusos, veçanërisht pas largimit të Alessio Romagnolit.
Nevojat e Lazios nuk lidhen vetëm me mbrojtjen. Klubi po kërkon gjithashtu një përforcim për mesfushën dhe një nga emrat që ka dalë në skenë është Marcelo Brozovic.
Sipas La Gazzetta dello Sport, emri i mesfushorit kroat është propozuar te drejtuesit e klubit dhe nuk konsiderohet thjesht një mundësi teorike.
Brozovic, ish-lojtar i Interit, ka kaluar tre sezonet e fundit te Al Nassr në Arabinë Saudite. Paga e tij, sipas raportimeve, mund të jetë më e përballueshme për Lazion krahasuar me atë që do të kërkonte një lojtar si David Alaba.
Afrimi i kroatit do t’i sillte skuadrës së Gattusos eksperiencë të madhe dhe një alternativë të rëndësishme në mesfushë.
Megjithatë, për momentin Diogo Leite mbetet prioriteti i Lazios, me klubin italian që synon të mbyllë sa më shpejt marrëveshjen me mbrojtësin portugez.
Top Channel