Manovra të rrezikshme me gomone në Triport, shoferi i dehur ndëshkohet me 50 mijë lekë gjobë Viktor Bardhi, 65 vjeç, është viktima e radhës e një konflikti të hershëm mes familjeve Bardhi dhe Reçi. Ai u ekzekutua mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushaz. Pas tij qëndron një histori e gjatë atentatesh, ku ndër vite janë vrarë edhe familjarë të tij.
Një tjetër viktimë i është shtuar konfliktit të hershëm mes familjeve Bardhi dhe Reçi në Rrëshen. Viktima ka qenë punonjës i ujësjellësit, gjatë momentit të atentatit kishte ardhur për të hapur ujin e fshatrave.
Viktor Bardhi, 65 vjeç, u ekzekutua mëngjesin e sotëm në fshatin Ndërfushaz, duke rikthyer në vëmendje një seri atentatesh që ndër vite kanë prodhuar viktima nga të dyja palët.
Vetëm tre vite më parë, në shtator 2023, u vra vëllai i tij, Martin Bardhi. Martin Bardhi u qëllua me breshëri kallashnikovi në lokalin e tij, ku ndodhej i ulur në tavolinë me tre persona të afërt. Dy autorë të maskuar zbritën nga një automjet dhe hapën zjarr në drejtim të tij.
Martin Bardhi mbeti i vrarë në vend, ndërsa tre personat që ndodheshin me të mbetën të plagosur. Vetëm një muaj para ekzekutimit, Martin Bardhi kishte dalë nga paraburgimi i Lezhës, ku ishte arrestuar nën dyshimin se kishte tentuar të vriste Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit.
Kastriot Reçi ishte ekzekutuar me snajper në qendër të Rrëshenit në janar të vitit 2020. Vrasja e tij konsiderohet një prej ngjarjeve që lidhet me konfliktin e gjatë mes dy familjeve.
Edhe nipi i Viktor Bardhit u ekzekutua. Në janar të vitit 2025, një tjetër familjar i Viktor Bardhit u vra në një atentat. Bëhet fjalë për Kristian Bardhin, i njohur edhe si Kristian Marku. I riu u ekzekutua pasditen e 13 janarit 2025, në aksin Fier-Vlorë. Emri i Kristian Bardhit ishte përmendur më herët nga policia në lidhje me një tentativë për vrasjen e Saimir Reçit, nipit të Kastriot Reçit.
Ngjarja kishte ndodhur në mars të vitit 2023. Kristian Bardhi ishte skeduar si i dyshuar për përfshirjen në këtë atentat, por policia nuk arriti të provonte përfshirjen e tij dhe ai fitoi lirinë.
Pak muaj më vonë, në shtator të po atij viti, u ekzekutua xhaxhai i tij, Martin Bardhi.
Sot, rreth një vit e gjysmë pas vrasjes së Kristian Bardhit dhe tre vite pas ekzekutimit të Martin Bardhit, një tjetër pjesëtar i familjes Bardhi është vrarë.
Top Channel