Ndahet nga jeta në moshën 92-vjeçare Gloria Steinem, ikona e lëvizjes feministe amerikane

03/09/2026 13:15

Gloria Steinem, gazetarja dhe aktivistja amerikane e njohur si një prej figurave më të rëndësishme të lëvizjes feministe, ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare.

Lajmi u konfirmua përmes llogarisë së saj zyrtare në Instagram. Steinem u nda nga jeta në Nju Jork, e rrethuar nga njerëz të afërt. Ajo i kushtoi pjesën më të madhe të jetës mbrojtjes së të drejtave të grave, të drejtës për abort, edukimit seksual dhe barazisë në vendin e punës.

Në vitin 1972, Steinem bashkëthemeloi “Ms. Magazine”, një prej publikimeve më të rëndësishme të lëvizjes feministe në SHBA. Më herët, ajo ishte bërë e njohur edhe për shkrimet investigative dhe angazhimin politik.

Steinem ishte gjithashtu një aktiviste për të drejtat civile, të drejtat LGBTQ dhe kundër luftës. Në vitin 2013, ajo u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë, një prej vlerësimeve më të larta civile në Shtetet e Bashkuara.

Ajo vazhdoi aktivitetin publik edhe në dekadat e fundit të jetës, duke marrë pjesë në protesta dhe aktivitete për të drejtat e grave. Në vitin 2017 ishte ndër figurat e njohura të Women’s March në Uashington.

Steinem la pas edhe disa libra dhe ese mbi feminizmin, politikën dhe shoqërinë, ndërsa jeta dhe veprimtaria e saj janë trajtuar në filma, seriale dhe vepra teatrale.

Top Channel