Arsenali duket se ka ndjekur të njëjtën rrugë me Barcelonën në merkato. Pasi nuk arritën të siguronin Julián Álvarez, të dy klubet kanë parë te Lautaro Martínez alternativën për sulmin.

Arsenal kishte piketuar prej kohësh Julián Álvarez si një prej objektivave kryesorë të merkatos së verës, por sulmuesi argjentinas përfundimisht qëndroi te Atlético Madrid.

Me transferimin e Álvarez në Londër që u bë i pamundur, Arsenali ndryshoi drejtim dhe, sipas raportimeve të “Daily Mail”, nisi të interesohej për kapitenin e Inter Milan, Lautaro Martínez.

Madje, sipas raportimeve, Gabriel Heinze, pjesë e stafit të Mikel Artetës dhe bashkëkombës i Lautaros, kontaktoi sulmuesin për të mësuar nëse ai do të ishte i gatshëm për një transferim në Premier League.

Por historia është edhe më interesante. Edhe Barcelona kishte tentuar më parë të afronte Lautaro Martínez, pasi kishte dështuar të siguronte objektivin e saj tjetër argjentinas, Álvarez.

Lautaro konfirmoi së fundmi se interesimi i Barcelonës për të kishte qenë real, por vendosi të qëndronte te Interi.

“Thashethemet ishin të vërteta. Por në fund doja të qëndroja këtu me shokët e skuadrës, me këta njerëz dhe me këta tifozë që kanë qenë gjithmonë fantastikë me mua”, deklaroi ai për Sky Italia.

Kështu, Arsenal dhe Barcelona duket se kanë ndjekur një skenar thuajse identik: të dyja klubet kërkuan Álvarez, nuk arritën ta transferonin dhe më pas kthyen sytë nga Lautaro.

Megjithatë, edhe tentativa e Arsenalit për kapitenin e Interit nuk pati sukses. Klubi italian e mbylli derën për një largim të argjentinasit, duke e mbajtur një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës.

Në fund, Álvarez mbeti në Madrid, Lautaro në Milano, ndërsa Arsenali dhe Barcelona duhet të kërkojnë zgjidhje të tjera për sulmin.

Top Channel