Dolly Parton varroset pranë bashkëshortit të ndjerë, familja i jep lamtumirën në një ceremoni private

31/08/2026 13:41

Legjenda e muzikës country, Dolly Parton, është varrosur pranë bashkëshortit të saj të ndjerë, Carl Dean, në Nashville, pas një ceremonie private familjare të zhvilluar të premten.

Parton, e cila ndërroi jetë në moshën 80-vjeçare, u përcoll në banesën e fundit në Woodlawn Memorial Park and Mausoleum, ku prehet edhe Dean.

Një ditë pas ceremonisë, stërmbesa e saj, Lainey Parton, publikoi një mesazh emocionues për këngëtaren, duke kujtuar dashurinë dhe mbështetjen që ajo i kishte dhënë familjes. “Ende nuk ndihet e vërtetë që ajo ka ikur”, shkroi Lainey, duke shtuar se do t’i mungojnë zëri, e qeshura dhe përqafimet e gjyshes së saj.

Një koncert i madh përkujtimor u zhvillua të shtunën në Grand Ole Opry House në Nashville, ku muzikantë të shumtë nderuan figurën e rëndësishme të muzikës country.

Mbesa e Parton, Jada Star, performoi këngën The Orchard, të cilën e kishte regjistruar me të afërmen e saj në vitin 2024. Në koncert morën pjesë edhe artistë të tjerë, ndërsa Jelly Roll bëri një paraqitje surprizë gjatë finales me këngën e njohur “9 to 5”. Ndërkohë, guvernatori i Tenesit ka njoftuar planet për emërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Nashville sipas Dolly Parton, si një tjetër nderim për trashëgiminë e saj.

Në njoftimin e nekrologjisë, familja kërkoi që në vend të luleve, fansat të bëjnë donacione për Dolly Parton’s Imagination Library, programi përmes të cilit miliona fëmijë kanë marrë libra falas.

Trashëgimia e Parton nuk mbetet vetëm te muzika. Përgjatë dekadave, ajo u bë një prej figurave më të njohura të kulturës amerikane, ndërsa veprimtaria e saj bamirëse e shndërroi në një simbol të mbështetjes për fëmijët dhe edukimin.

Ndërkohë, pas vdekjes së saj, kënga “9 to 5” është rikthyer fuqishëm në listat muzikore dhe në Mbretërinë e Bashkuar po garon për vendin e parë në klasifikimin e këngëve më të dëgjuara.

Top Channel