Autoriteti Kombëtar për Mbrojtjen e të Dhënave në Brazil (ANPD) ka gjobitur me 153.8 milionë reais, rreth 29.8 milionë dollarë, kompaninë ByteDance, pronaren e TikTok-ut, për shkelje të ligjit brazilian për mbrojtjen e të dhënave personale.

Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare të Qeverisë, njësia lokale e ByteDance ka përpunuar të dhëna personale të adoleshentëve nga 13 deri në 18 vjeç, pa pasur një bazë të vlefshme ligjore.

ByteDance Brasil nuk ka reaguar menjëherë ndaj kërkesës për koment lidhur me vendimin.

Autoritetet braziliane kanë shtuar kontrollin ndaj platformave online, në përpjekje për të forcuar mbrojtjen e fëmijëve dhe adoleshentëve. Kjo masë është pjesë e një tendence globale, teksa vende si Australia, Franca dhe Kina po vendosin ose po shqyrtojnë rregulla më të rrepta për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit.

Më 12 gusht, ANPD urdhëroi gjithashtu platformën Discord të pezullonte programet e transmetimit, për shkak të shqetësimeve lidhur me ekspozimin e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj përmbajtjeve të dëmshme.

Sipas vendimit të fundit, ByteDance duhet të fshijë të dhënat personale të adoleshentëve për të cilët përfaqësimi ose asistenca ligjore nuk është rregulluar brenda 60 ditëve pune. Kompania duhet gjithashtu të njoftojë palët e treta me të cilat ka ndarë këto të dhëna.

Për më tepër, ByteDance duhet të dorëzojë një raport teknik, të nënshkruar nga zyrtari i saj për mbrojtjen e të dhënave, së bashku me regjistrat e sistemit që dëshmojnë zbatimin e masave të kërkuara. Ky dokument duhet të paraqitet brenda pesë ditëve pune nga përfundimi i afatit fillestar.

Top Channel