Milani nuk e mbyll merkaton, kuqezinjtë kërkojnë rikthimin e yllit të Realit dhe mesfushorin e Liverpool

24/08/2026 20:16

Merkatoja e Milanit vijon të jetë aktive, ndërsa drejtuesit e klubit kuqezi po punojnë për të gjetur profile të përshtatshme për skuadrën e Ruben Amorimit.

Sipas raportimeve të Corriere dello Sport, Milani po vlerëson disa talente me potencial të madh, të cilët mund të jenë gati për nivelet më të larta të futbollit. Ideja e klubit është të investojë te lojtarë që mund të blihen përfundimisht, pa përjashtuar mundësitë që mund të shfaqen në ditët e fundit të merkatos.

Në listën e dëshirave të Amorimit janë edhe dy emra të njohur: Brahim Diaz i Real Madridit dhe Harvey Elliott i Liverpoolit.

Brahim Diaz nuk është një emër i panjohur për Milanin. Mesfushori spanjoll ka luajtur për tre sezone me fanellën kuqezi, duke qenë pjesë e skuadrës që fitoi titullin kampion të Serie A në vitin 2022.

Lojtari i Real Madridit vlerësohet për aftësinë teknike, kreativitetin dhe fleksibilitetin në repartin ofensiv, ndërsa mund të jetë një alternativë interesante për skemat e Amorimit.

Në të njëjtën kohë, Milani po monitoron edhe Harvey Elliott. Talenti anglez i Liverpoolit është një lojtar me profil teknik, i aftë të organizojë lojën dhe të luajë në krahun e djathtë, një rol që kuqezinjtë po kërkojnë ta përforcojnë.

Drejtuesit e Milanit po analizojnë me kujdes tregun, ndërsa objektivi mbetet afrimi i lojtarëve me potencial për të ardhmen, por edhe me aftësinë për të dhënë menjëherë kontribut në nivele të larta.

Top Channel