Aktorja amerikane Hayden Panettiere, e njohur për rolet e saj në serialet Heroes dhe Nashville, që u nda nga jeta të dielën në moshën 36-vjeçare, është nderuar nga miqtë dhe kolegët.
Lajmi ka shkaktuar reagime të shumta në botën e kinemasë dhe televizionit.
Regjisori dhe skenaristi Bryan Fuller, i cili krijoi historinë e personazhit të saj në sezonin e parë të Heroes, e përshkroi Panettiere si “një muzë më shumë se një aktore me talent të jashtëzakonshëm”, duke shprehur trishtimin për humbjen e saj.
Panettiere u gjet pa ndjenja në një banesë në Greenville, Karolina e Jugut. Policia deklaroi se nuk kishte shenja të ndonjë akti kriminal apo rrethana të dyshimta. Autoritetet njoftuan se ekipet mjekësore ndërhynë për një rast arresti kardiak, por pa rezultat. Shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë i ditur.
Aktorja, e cila e kishte nisur karrierën që fëmijë, u bë e njohur fillimisht për rolin e Claire Bennet në serialin fantastiko-shkencor Heroes. Më pas, ajo interpretoi Juliette Barnes në Nashville, rol që i solli dy nominime për Golden Globe.
Panettiere kishte folur publikisht për betejat e saj me varësinë ndaj lëndëve narkotike, abuzimin dhe procesin e rikuperimit. Në kujtimet e publikuara së fundmi, ajo rrëfeu vështirësitë e rritjes si aktore fëmijë dhe problemet që kishte përjetuar gjatë jetës.
Ajo lë pas vajzën e saj, Kaya, nga lidhja me ish-partnerin e saj, ish-kampionin ukrainas të botës në boksin e peshave të rënda, Wladimir Klitschko.
Panettiere ishte gjithashtu një mbështetëse e fortë e Ukrainës pas pushtimit rus. Në vitin 2022, ajo themeloi një organizatë humanitare, e cila siguronte ndihma mjekësore dhe pajisje mbrojtëse për Ukrainën.
Top Channel