“Pesë persona po mjekohen në Tiranë”, Ministria e Shëndetësisë zbulon gjendjen e të plagosurve në zjarrin e hotelit në Vlore: Një vajzë ka djegie të shumta
Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë në orët e para të mëngjesit të së dielës hotelin Brooklyn në Lungomare të Vlorës, duke lënë të plagosur gjashtë persona.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00. Flakët dyshohet se kanë nisur në katin e parë të godinës, ku ndodhej një bar-restorant, dhe janë përhapur me shpejtësi në ambientet e gjithë godinës. Më pas, zjarri është ngjitur në katin e dytë, ku ndodheshin dhomat e hotelit.
Të shtatë personat që ndodheshin në hotel kanë tentuar të largohen nga godina. Disa prej tyre, në përpjekje për t’u shpëtuar flakëve, janë detyruar të hidhen nga ballkonet. Si pasojë, kanë pësuar fraktura, ndërsa të tjerë kanë marrë djegie në pjesë të ndryshme të trupit.
Një prej vajzave ka pësuar djegie të shumta në trup. Pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Vlorës, të plagosurit janë transportuar drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegieve.
Sipas mjekëve të Spitalit të Vlorës, gjendja e pjesës më të madhe të të plagosurve është stabilizuar. Edmond Breshanaj, shef i reanimacionit, ka bërë të ditur se njëra prej vajzave paraqet dëmtime të rënda, me djegie në pjesën më të madhe të trupit.
Siç raporton gazetari i Top Channel, Mikel Marsi, dyshohet se zjarri ka nisur në ambientet e bar-restorantit, nga një prizë treshe ku ishin lidhur dy frigoriferë. Mendohet se mbingarkesa elektrike ka shkaktuar flakët, të cilat më pas janë përhapur me shpejtësi në të gjithë lokalin dhe në katin e hotelit.
Të plagosurit janë kryesisht të rinj, rreth moshës 20 deri në 25 vjeç. Ata kishin disa ditë që pushonin në Vlorë dhe ishin akomoduar në këtë hotel.
Një prej të rinjve, Luan Saliu nga Lipjani, i cili u detyrua të hidhej nga ballkoni së bashku me bashkëshorten e tij, ka treguar momentet e panikut dhe përpjekjen për t’i shpëtuar flakëve. Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit dhe rrethanat e ngjarjes.
Top Channel