Zjarret djegin Shqipërinë dhe propagandën! Si dhe një “sukses” i Qeverisë!
Nga Eduard Zaloshnja
Në 35 vjetët e fundit, mirëmbajtja e pyjeve është, pak të thuhet, se është neglizhuar. Dhe ndoshta do të duhet të kalojnë 35 vjet të tjera që mirëmbajtja e pyjeve në Shqipëri të rikthehet në nivelin e para 35 viteve. (Shënim: Disertacionin për të marrë gradën Kandidat Shkencash e shkruajta për modelet probabilitare të mbrojtjes së pyjeve më 1990, por nuk e mbrojta ngaqë u përfshiva në lëvizjen për rrëzimin e regjimit komunist).
Në kushtet aktuale, kur ngrohja globale po e rrit probabilitetin e zjarreve, kur mirëmbajtja e pyjeve ka degraduar rëndë, dhe kur ndërgjegjësia komunitare për ruajtjen e fshatrave është bjerrë, i takon Ministrisë së Mbrojtjes të ngrejë një grup pune për hartimin e një harte probabilitare të rrezikut të zjarreve.
Është një detyrë e vështirë për një vend, ku pothuaj 80% e terrenit është kodrinor-malor dhe i mbuluar me shkurre e pyje. Por një koordinim mes Ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Bujqësisë, Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit Meteorologjik mund të prodhojë një hartë probabilitare të rrezikut të zjarreve për sezonin e ardhshëm. Që do të shërbente për një planifikim paraprak të aksioneve anti-zjarr, para se zjarret të shfaqen në beharin e ardhshëm.
Sa për përmirësimin e mirëmbajtjes së pyjeve, qeveria duhet të fillojë të mendojë qysh sot, që të mos duhet të kalojnë 35 vjet për të arritur atë nivel mirëmbajtjeje pyjesh që kishim para 35 vjetësh…
Top Channel