Bomba për të vrarë Messin dhe tentativa për t’iu afruar Ronaldos në hotel, dosja sekrete zbulon kërcënimet që tronditën Botërorin

07/08/2026 15:50

Një dosje e madhe sigurie ka zbuluar një seri kërcënimesh serioze që kanë shoqëruar zhvillimin e Kupës së Botës, ku mes objektivave të mundshëm kanë qenë edhe yjet më të mëdhenj të futbollit botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Dokumenti, i publikuar nga mediat spanjolle, përshkruan disa incidente të rënda sigurie, përfshirë kërcënime për sulme me bomba dhe tentativa për të cenuar sigurinë e ekipeve dhe lojtarëve.

Një nga rastet më alarmante lidhej me kombëtaren e Argjentinës. Para ndeshjes ndaj Jordanisë, një person telefonoi në aeroportin e Dallasit dhe pretendoi se ai dhe dy persona të tjerë do të sulmonin stadiumin me bomba artizanale dhe armë zjarri. Sipas raportimeve, kërcënuesi përmendi në mënyrë të veçantë edhe Lionel Messin si objektiv.

Një tjetër kërcënim u shfaq para sfidës së Argjentinës ndaj Egjiptit, ku një person publikoi mesazhe kërcënuese në rrjetet sociale duke pretenduar se do të hynte në stadium me eksplozivë të lidhur në trup për të sulmuar Messin.

Gjatë një prej ndeshjeve, një telefonatë tjetër alarmoi policinë, pasi një person pretendoi se kishte vendosur bomba në ambientet e stadiumit. Autoritetet kryen kontrolle të gjera me specialistë antieksplozivë dhe qen të trajnuar.

Edhe Cristiano Ronaldo u përfshi në një situatë shqetësuese sigurie. Një punonjës i FIFA-s ngriti alarmin pasi një person i dyshimtë kërkonte informacione për vendqëndrimin e yllit portugez gjatë turneut. Në një tjetër rast, një tifoz i dhunshëm arriti të hynte në hotelin ku qëndronte Ronaldo dhe tentoi t’i afrohej në ashensor, duke pretenduar më pas se dëshironte vetëm një foto me të.

Dosja përfshin gjithashtu mijëra kërcënime ndaj zyrtarëve të ndeshjeve. Arbitri François Letexier raportohet se mori mbi 6 mijë mesazhe kërcënuese në WhatsApp pas vendimeve të tij në sfidën Argjentinë-Egjipt, ndërsa edhe zyrtarë të VAR-it u përballën me kërcënime serioze.

Përveç kërcënimeve fizike, disa futbollistë u përballën me sulme raciste dhe presion ekstrem nga tifozët. Kylian Mbappé ishte një prej lojtarëve të prekur, ndërsa futbollistë të tjerë morën kërcënime pas gabimeve gjatë ndeshjeve.

Top Channel