Kriza në krye të FIFA-s po thellohet. Pas UEFA-s, edhe CONCACAF, konfederata që drejton futbollin në Amerikën e Veriut, Amerikën Qendrore dhe Karaibe, ka dalë me një deklaratë të ashpër ndaj presidentit Gianni Infantino, duke kërkuar një “llogaridhënie të plotë” pas polemikave që shoqëruan planin për shitjen e një pjese të të drejtave tregtare të FIFA-s te investitorë privatë.

Në reagimin e saj zyrtar, CONCACAF e mirëpret faktin që FIFA u tërhoq nga projekti kontrovers, por thekson se kjo nuk mjafton për të mbyllur debatin. Sipas konfederatës, mënyra se si u hartua dhe u promovua iniciativa ka nxjerrë në pah probleme serioze të transparencës, qeverisjes dhe llogaridhënies brenda organizatës më të madhe të futbollit botëror.

CONCACAF thekson se ngjarjet e ditëve të fundit kërkojnë një reflektim të thellë dhe reforma konkrete për të garantuar që vendime të tilla të mos merren më pa konsultim të gjerë me konfederatat dhe federatat anëtare. Sipas drejtuesve të konfederatës, integriteti i futbollit duhet të mbetet prioritet mbi çdo interes financiar.

Deklarata vjen vetëm pak orë pasi UEFA deklaroi publikisht se ka humbur besimin te Gianni Infantino dhe kërkoi përgjegjësi për mënyrën se si u menaxhua projekti i dështuar. Ndërkohë, një sërë federatash kombëtare, mes tyre edhe Federata Angleze dhe Federata Shqiptare e Futbollit përmes presidentit Armand Duka, kanë shprehur mbështetjen e tyre për qëndrimin e UEFA-s.

Me CONCACAF që i bashkohet hapur kritikave, presioni ndaj Infantinos është rritur ndjeshëm. Edhe pse presidenti i FIFA-s tërhoqi planin për privatizimin e një pjese të të drejtave tregtare të Kupës së Botës, zërat që kërkojnë reforma të thella dhe përgjegjësi politike në drejtimin e FIFA-s po shtohen nga dita në ditë.

Top Channel