Vdekja tragjike e ish-anëtarit të One Direction, e dashura e Liam Payne heq tatuazhet e bëra për të: Vendosa që…
Një gjykatë britanike ka rrëzuar padinë e Mitch Winehouse, babait të këngëtares së ndjerë Amy Winehouse, kundër dy ish-shoqeve të dhomës së artistes, duke e urdhëruar atë të paguajë mbi 1 milion euro shpenzime ligjore.
Mitch Winehouse kishte paditur Naomi Parry dhe Catriona Gourlay, duke i akuzuar se kishin shitur pa autorizim më shumë se 150 sende personale të vajzës së tij, të cilat ajo i kishte lënë në apartamentin që ndanin së bashku.
Pas vdekjes së Amy Winehouse në vitin 2011, babai i saj trashëgoi pasurinë e këngëtares dhe në vitin 2021 organizoi një ankand bamirësie, ku u shitën mbi 800 objekte personale të artistes. Ankandi mblodhi rreth 4 milionë dollarë, të cilat iu dhuruan Fondacionit Amy Winehouse.
Sipas pretendimeve të Mitch Winehouse, dy gratë kishin përfituar nga shitja e sendeve në ankande të zhvilluara në Shtetet e Bashkuara në vitet 2021 dhe 2023. Megjithatë, ato deklaruan se objektet u ishin dhënë si dhurata nga vetë Amy Winehouse.
Gjatë gjykimit, avokatët e Mitch Winehouse argumentuan se ai kishte mësuar për ekzistencën e këtyre sendeve vetëm pas ankandit familjar dhe se dy të paditurat kishin synuar të mbanin të ardhurat nga shitjet.
Por gjyqtarja Clarke e hodhi poshtë këtë version, duke vendosur se Mitch Winehouse kishte qenë në dijeni që në fillim për shitjen e sendeve dhe se padia e tij ishte “e dobët në thelb”.
Në vendimin e saj, gjyqtarja kritikoi ashpër mënyrën se si u zhvillua çështja, duke deklaruar se paditësi e ndoqi atë “në mënyrë agresive dhe të pamëshirshme” dhe bëri akuza që dëmtuan reputacionin, karrierën, gjendjen financiare dhe shëndetin e dy grave.
Gjykata theksoi gjithashtu se Amy Winehouse njihej për bujarinë e saj ndaj miqve dhe personave të afërt, duke mbështetur pretendimin e Naomi Parry dhe Catriona Gourlay se sendet u ishin dhënë si dhurata nga këngëtarja.
Si pasojë e vendimit, Mitch Winehouse duhet të paguajë shpenzime të përkohshme ligjore prej:
569.330 paund për Naomi Parry;
394.521 paund për Catriona Gourlay.
Në total, kostot e procedurës gjyqësore tejkalojnë 1.2 milionë paund, ose më shumë se 1 milion euro.
Top Channel