Plas lufta në FIFA, Infantino vendos me shpatulla pas muri Anglinë dhe UEFA-n, gati mbledhja urgjente për bojkot
Përballë një vale të paprecedentë zemërimi, ku përfshihen sulmet e ashpra të Sepp Blatter-it dhe reagimi dënues i UEFA-s, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka dalë me një video-mesazh urgjent për të mbrojtur projektin e tij miliardësh, “FIFA Forward Enterprise” (FFE).
Në përpjekje për të fashitur zjarrin e një bojkoti të mundshëm dhe për të shpëtuar planin e privatizimit të pjesshëm të Kupës së Botës, kreu i qeverisë së futbollit u përpoq ta relativizonte situatën, duke e cilësuar nismën thjesht si një “proces konsultimi”. “FIFA Forward Enterprise, ose FFE, në fakt është një propozim, një ofertë. Është pjesë e një procesi demokratik – një procesi konsultimi – dhe, mbi të gjitha, është një mundësi, jo një detyrim,” u shpreh Infantino në mesazhin e tij. “Është një mundësi e artë për të përshpejtuar zhvillimin e lojës në mbarë botën. Por përsëri e theksoj: është vetëm një ofertë, jo një detyrim.”
Sipas Infantinos, problemi më i madh i futbollit të sotëm është se shumë pak nga vlera e tij komerciale po arrin te bazat e sportit dhe te federatat që kanë nevojë emergjente për investime. Ai theksoi se propozimi synon të çlirojë “një vlerë komerciale të pashfrytëzuar më parë” dhe garantoi se gjithçka mbetet e kushtëzuar nga një votim demokratik i 211 federatave anëtare dhe miratimi përfundimtar nga Këshilli i FIFA-s.
Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje tifozëve anembanë botës që të mos shqetësohen për natyrën e lojës: “Tifozët në çdo cep të planetit do të përfitojnë pamasë nga ky potencial ndryshues, sepse ky projekt do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën dhe futbollin në vendet e tyre,” argumentoi kreu i FIFA-s.
Megjithatë, pas fjalimeve për “proces demokratik” dhe “mundësi të artë”, fshihet një realitet që në korridoret e futbollit ndërkombëtar po cilësohet si shantazh i hapur financiar. Sipas zbardhjes së letrës zyrtare nga gazeta britanike The Times, Infantino u ka lënë 211 federatave anëtare vetëm 53 ditë kohë për të zgjedhur mes dy skenarëve:
Nëse votojnë PRO planit: Secila federatë do të përfitojë një paketë të plotë financimi prej 40 milionë dollarësh.
Nëse e REFUZOJNË: Mbështetja e tyre do të shkurtohet në mënyrë drastike, duke marrë vetëm 10 milionë dollarë.
Kjo diferencë skandaloze prej 30 milionë dollarësh për çdo federatë ka hedhur në erë pretendimin e Infantinos se projekti “nuk është detyrim”. Një burim i brendshëm pranë çështjes e ka përshkruar këtë metodë për mediat britanike si “korrupsion të pastër”, duke ngritur alarmin se kjo shpërndarje miliardash po përdoret si instrument për të blerë votat e federatave të vogla në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale në FIFA.
Top Channel