Të paktën 240 shtëpi të djegura dhe mbi 200 mijë të evakuuar, vazhdon beteja me flakët në Francë

28/07/2026 17:22

Autoritetet franceze kanë urdhëruar evakuimin e 4 mijë personave të tjerë nga rajoni i Bordeaux, ndërsa zjarri gjigant pyjor në Girondë vijon të përbëjë një kërcënim serioz, pavarësisht se gjatë natës situata u stabilizua përkohësisht.

Evakuimet e fundit përfshijnë kryesisht turistët e akomoduar në qytetin bregdetar Lacanau, pasi meteorologët paralajmërojnë rikthimin e temperaturave të larta dhe erërave të forta, të cilat mund të favorizojnë përhapjen e mëtejshme të flakëve.

Që nga shpërthimi i zjarrit më 22 korrik në veri të Arcachon, rreth 220 mijë persona janë evakuuar nga 23 komunitete. Deri tani janë shkatërruar të paktën 240 banesa, ndërsa 93 zjarrfikës kanë mbetur të plagosur gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve.

Sipas autoriteteve, vatra kryesore e zjarrit është vënë nën kontroll, por ende nuk është izoluar plotësisht. Për këtë arsye, kthimi i banorëve në zonat e evakuuara nuk konsiderohet i sigurt në këtë fazë.

Me rreth 420 mijë hektarë të djegur, ky konsiderohet zjarri më i madh në Francë që prej vitit 1949. Vetëm gjatë vitit 2026, flakët kanë shkrumbuar rreth 920 mijë hektarë në të gjithë territorin francez, duke shënuar nivelin më të lartë të sipërfaqes së djegur në dy dekadat e fundit, sipas sistemit evropian të monitorimit të zjarreve.

Presidenti francez Emmanuel Macron, gjatë një vizite në qendrën e operacioneve të emergjencës, paralajmëroi se javët në vijim do të jenë tepër të vështira dhe kërkoi angazhim maksimal për përballimin e situatës.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se pasojat ekologjike do të jenë afatgjata. Përveç shkatërrimit të pyjeve dhe banesave, zjarri ka goditur rëndë habitatet natyrore, duke rrezikuar mbijetesën e shumë specieve të rralla të kafshëve dhe insekteve.

Sipas specialistëve të mjedisit, shumë amfibë, zvarranikë dhe gjitarë të vegjël nuk kanë mundur t’u shpëtojnë flakëve, ndërsa edhe kafshët që kanë mbijetuar do ta kenë të vështirë të gjejnë strehim dhe ushqim, pasi ekosistemi është dëmtuar rëndë. Ekspertët paralajmërojnë se rikuperimi i plotë i zonave të djegura mund të zgjasë me vite.

Autoritetet franceze vijojnë të mbajnë në gatishmëri mijëra zjarrfikës dhe mjete ajrore, ndërsa frika mbetet e lartë se vala e të nxehtit mund të riaktivizojë vatrat e zjarrit në ditët në vijim.

Top Channel