Belgjika shtyn ndalimin e duhanit në ambiente të hapura, Franca dhe Spanja ashpërsojnë kufizimet

26/10/2026 19:19

Belgjika ka shtyrë ndalimin e planifikuar të pirjes së duhanit në tarracat e kafeneve, restoranteve dhe hapësira të tjera publike të jashtme.

Masa, e cila pritej të hynte në fuqi më 1 janar 2027, do të shtyhet pas kërkesave për rishikimin e disa dispozitave të saj.

Sipas raportimit të Politico, Këshilli i Shtetit i Belgjikës ka kërkuar përshtatjen e disa masave të parashikuara. Zyra e ministrit të Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke, konfirmoi për transmetuesin belg VRT se autoritetet po punojnë për të bërë ndryshimet e kërkuara.

Për momentin, nuk është bërë e ditur se sa do të zgjasë shtyrja dhe kur ndalimi mund të hyjë në fuqi.

Nisma e qeverisë kishte shkaktuar reagime nga sektori i gastronomisë, veçanërisht nga pronarët e kafeneve dhe restoranteve, të cilët kishin shprehur shqetësime për ndikimin e rregullave të reja në aktivitetin e tyre. Shtyrja do t’u japë bizneseve më shumë kohë për t’u përgatitur për ndryshimet e parashikuara.

Belgjika nuk është i vetmi vend europian që po shqyrton zgjerimin e kufizimeve për pirjen e duhanit në ambientet e jashtme.

Franca ka vendosur ndalime të pirjes së duhanit në disa hapësira publike, përfshirë plazhet, parqet dhe zonat pranë shkollave. Ndërkohë, Spanja miratoi në korrik një projektligj që synon zgjerimin e ndalimit në tarracat e jashtme dhe hapësira të tjera publike, si dhe parashikon kufizime për cigaret elektronike. Nisma spanjolle është përballur me kundërshtime nga përfaqësuesit e sektorit të restoranteve.

Vitin e kaluar, Belgjika miratoi gjithashtu një sërë masash kundër pirjes së duhanit, mes tyre kufizime në zonat e aeroporteve dhe ndalimin e cigareve elektronike me aromë.

Qeveria belge synon të krijojë një “brez pa duhan” deri në vitin 2040. Sipas të dhënave të cituara në raportim, pothuajse një në katër belgë pi duhan, ndërsa rreth 19% e popullsisë e konsumon atë çdo ditë.

Top Channel