Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, ka akuzuar të dielën qeveritë e Brazilit dhe Meksikës, si dhe Partinë Demokratike të Shteteve të Bashkuara, se kanë financuar një të ashtuquajtur “fushatë antiargjentinase” gjatë Kampionatit Botëror të Futbollit 2026.

Këto deklarata të forta, të bëra gjatë një interviste për “Radio Mitre”, nuk u shoqëruan me asnjë provë konkrete nga ana e tij.

Sipas presidentit argjentinas, financuesi kryesor i kësaj fushate ka qenë qeveria braziliane, e cila pretendohet se ka mbuluar rreth 25% të fondeve. Milei shtoi se pjesë e kësaj nisme ishin edhe Meksika dhe Partia Demokratike amerikane, përfaqësuesit e të cilave i cilësoi si “krerë progresistë që nuk duan që idetë e lirisë të funksionojnë”.

Këto akuza vijnë në një moment tensionesh të larta diplomatike mes Argjentinës dhe Brazilit. Vetëm një ditë më parë, Milei mori pjesë në São Paulo në nisjen zyrtare të fushatës presidenciale të Flávio Bolsonaros, djalit të ish-presidentit Jair Bolsonaro, ku e quajti presidentin aktual brazilian, Luiz Inácio Lula da Silva, “të burgosur” dhe “hajdut”. Si kundërpërgjigje e menjëhershme, Ministria e Jashtme e Brazilit vendosi të thërrasë për konsultime ambasadorin e saj në Buenos Aires.

Duhet theksuar se deri më tani, kreu i shtetit argjentinas nuk ka paraqitur asnjë fakt për të mbështetur pretendimet e tij, një detaj ky i nënvizuar gjerësisht nga mediat amerikano-latine që po mbulojnë zhvillimet.

Top Channel