“Irani po bëhet serioz”, presidenti amerikan: Negociatat vazhdojnë, por të shohim nëse do të kemi një marrëveshje

26/07/2026 12:54

Një ditë pasi ndaloi sulmet mbi Iranin, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se Washingtoni dhe Teherani ende po zhvillojnë negociata për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre, edhe pse gjatë dy javëve të fundit situata u përshkallëzua me goditje të ndërsjella duke rritur pasigurinë në Lindjen e Mesme.

“Po bisedojmë me ta. Mendoj se po tregohen seriozë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke iu referuar negociatorëve iranianë. “Mendoj se… janë shumë më seriozë se sa i kemi parë ndonjëherë më parë, por kjo nuk do të thotë se do të arrijmë një marrëveshje. Do të shohim se çfarë do të ndodhë”.

Trump ka folur shpesh për negociatat mes SHBA-së dhe Iranit, duke pretenduar herë pas here se një marrëveshje paqeje është afër që të arrihet, por bisedimet kanë dështuar dhe veprimet ushtarake kanë rifilluar.

I pyetur nëse kishte marrë një vendim për rifillimin e sulmeve në shkallë të plotë, Trump u përgjigj: “Jo, nuk kam marr një vendim të tillë. Jemi plotësisht të përgatitur dhe gati për të vepruar. Por, po bisedojmë me ta, kështu që mendoj se derisa po bisedojmë, do të shohim se çfarë do të dalë prej kësaj. Besoj se… ata duhet të jenë serioze gjithë kohën, jo vetëm kur sulmohen”, ka thënë Trump, pa sqaruar se si po zhvilloheshin bisedimet.

Top Channel