Një letër ekskluzive e dërguar nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, në drejtim të Federatës Argjentinase të Futbollit pas përfundimit të finales së Kupës së Botës 2026 ka rrjedhur së fundmi në media.

Në këtë mesazh, i cili i drejtohet personalisht presidentit të AFA-s, Claudio Tapia, kreu i qeverisë botërore të futbollit ka shprehur vlerësimet më të larta për performancën e jashtëzakonshme të kombëtares argjentinase gjatë turneut.

Infantino e cilëson rrugëtimin e Argjentinës dhe vetë kompeticionin si një spektakël të paharrueshëm që mbërtheu miliona tifozë anë e mbanë botës.

“Dua të përsëris urimet e mia më të sinqerta për këtë rezultat të ri dhe të rëndësishëm për futbollin argjentinas,” shkruan Infantino në hapje të letrës së tij.

Kreu i FIFA-s vlerësoi jo vetëm lojën e bukur, por edhe atmosferën fantastike të krijuar nga tifozët në shkallët e stadiumeve. “Kupa e Botës FIFA 2026 do të mbetet në kujtesë si një festë e paharrueshme e futbollit, e shënjuar nga ndeshje spektakolare, shpërthimi i premtimeve të reja, prania e figurave të mëdha të sportit dhe atmosfera e jashtëzakonshme e përjetuar në stadiumet e mbushura plot me tifozë,” theksohet në letër.

Më tej, ai i jep merita absolute kombëtares “Albiceleste” duke u shprehur: “Performanca e mrekullueshme e ‘Albiceleste’ kontribuoi gjithashtu në mënyrë vendimtare për ta bërë këtë edicion një ngjarje të jashtëzakonshme që magjepsi miliona entuziastë të futbollit në mbarë botën.”

Nuk munguan as urimet e personalizuara për stafin dhe lojtarët: “Ju lutem përcillni urimet e mia të sinqerta për të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë rezultat të mrekullueshëm: për lojtarët, për trajnerin Lionel Scaloni, si dhe për stafin teknik e mjekësor dhe, natyrisht, për tifozët e shumtë që e kanë shoqëruar dhe inkurajuar ekipin gjatë gjithë kompeticionit.”

Në mbyllje të letrës së tij miqësore, Infantino theksoi se këto suksese janë gjithmonë fryt i punës së vazhdueshme, profesionalizmit, vëmendjes ndaj detajeve, por edhe i pasionit dhe dashurisë për këtë sport të mrekullueshëm. Ai e mbyll mesazhin e tij me urimet më të mira për presidentin Tapia dhe me bindjen se ky triumf do të hapë rrugën për suksese të reja të mëdha për futbollin argjentinas.

Top Channel