Publikohen pamjet e reja të sherrit me Spanjën: Molina godet me grusht kundërshtarin, FIFA nën presion për dënime shembullore

20/07/2026 11:46

Një skandal i ri ka shpërthyer në botën e futbollit pas publikimit të pamjeve të reja ekskluzive nga përplasja e tensionuar mes kombëtares së Argjentinës dhe asaj të Spanjës.

Pamjet e pafiltruara, të cilat po bëjnë xhiron e rrjetit, zbulojnë zanafillën e vërtetë të sherrit dhe sjelljet antisportive në fushën e lojës.

Në pamjet e reja të kapura nga kamerat e transmetimit, duket qartë mbrojtësi argjentinas Nahuel Molina, i cili gjatë zhvillimit të lojës godet me grusht një nga lojtarët kundërshtarë. Kjo goditje fizike ka shërbyer si shkëndijë për ndezjen e gjakrave dhe përplasjen masive verbale e fizike mes dy ekipeve.

Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej pas përfundimit të ndeshjes, ku mbrojtësi tjetër argjentinas, Nicolas Otamendi, u kap nga kamerat duke provokuar ashpër mesfushorin spanjoll Rodri dhe Aymeric Laporte, duke iu drejtuar me ton arrogant: “Fisni më pak, keni një javë që qani te gjyqtarët”.

Reagime të ashpra nga dashamirësit e futbollit: “FIFA të marrë masa drastike!”

Publikimi i këtyre pamjeve ka nxitur një valë të madhe reagimesh negative në rrjetet sociale. Shumë tifozë dhe analistë sportivë po e cilësojnë sjelljen e skuadrës argjentinase si të papranueshme për sportin elitar, duke kërkuar që FIFA të mos e kalojë këtë incident me gjoba apo pezullime formale.

Në komunitetin sportiv po bëhet thirrje e hapur që trupa disiplinore e FIFA-s të ndërhyjë me dorë të hekurt dhe të pezullojë nga aktivitete zyrtare për deri në një vit lojtarët e përfshirë në acte dhune dhe provokime sistematike.

Deri më tani, FIFA nuk ka nxjerrë një deklaratë zyrtare, por pas publikimit të këtyre pamjeve inkriminuese, presioni mbi organin drejtues të futbollit botëror është në kulmin e tij për të vendosur dënime disiplinore shembullore.

Top Channel