Dhunë ndaj oficerëve të rekrutimit në Ukrainë/ Veterani i luftës zbulon detajet, Zelensky dënon veprimet ndaj ushtarëve ukrainas

20/07/2026 07:34

Dhuna ndaj oficerëve të rekrutimit në Ukrainë po shtohet, ndërsa autoritetet përpiqen të mobilizojnë më shumë ushtarë për luftën kundër Rusisë.

Sipas autoriteteve ukrainase, janë regjistruar mbi 600 sulme ndaj oficerëve të rekrutimit, ndërsa tensionet janë rritur për shkak të mungesës së personelit ushtarak dhe kundërshtimit të mobilizimit.

Një nga rastet më të rënda është ai i Vasyl Krupych, një veteran lufte, i cili u sulmua në dhjetor të vitit të kaluar gjatë një operacioni për identifikimin e personave që shmangnin shërbimin ushtarak.

Sipas tij, dy persona refuzuan të paraqisnin dokumentet dhe u larguan, ndërsa gjatë ndjekjes ai u godit me një levë metalike, duke pësuar thyerje të brinjëve dhe duke qëndruar gjashtë javë në spital.

Avokatja e Popullit për çështjet ushtarake e ka cilësuar këtë fenomen si një “problem të madh”, duke theksuar se sulmet ndaj oficerëve të rekrutimit janë bërë të zakonshme. Raporti i fundit i Policisë Kombëtare të Ukrainës konfirmon se deri tani janë regjistruar më shumë se 600 incidente të tilla.

Tensionet u përshkallëzuan edhe më tej në muajt e fundit. Në prill disa oficerë rekrutimi u sulmuan me thikë, ku njëri prej tyre humbi jetën.

Ndërkohë, këtë muaj në Lviv, rreth 200 protestues rrethuan një grup oficerësh që po tentonin të ndalonin një person të dyshuar për shmangie të shërbimit ushtarak, duke përmbysur dhe dëmtuar automjetin e tyre.

Presidenti Volodymyr Zelensky dënoi publikisht sulmet ndaj ushtarëve në detyrë, ndërsa debati për mënyrën e zbatimit të mobilizimit mbetet i ndezur. Situata është komplikuar edhe nga ndryshimet në drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes, të cilat pritet të ndikojnë në reformat e sistemit të rekrutimit.

Analistët dhe politikanët e opozitës e lidhin rritjen e tensioneve me lodhjen e shoqërisë nga lufta, frikën për t’u dërguar në vijën e frontit dhe metodat e përdorura gjatë mobilizimit.

Deputeti Oleksandr Honcharenko kritikon praktikat e patrullave të rekrutimit, duke pretenduar se në disa raste përdoren metoda të dhunshme, ndërsa analisti ushtarak Ivan Stupak thotë se mungesa e personelit ka detyruar autoritetet të intensifikojnë operacionet e mobilizimit në rrugë.

Nga ana tjetër, organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë edhe për ankesa ndaj vetë oficerëve të rekrutimit.

Sipas Komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë, gjatë vitit të kaluar janë regjistruar mbi 6 mijë ankesa për abuzime të dyshuara, ndalime të paligjshme dhe kushte të papërshtatshme në qendrat e rekrutimit, duke treguar se tensionet rreth mobilizimit vazhdojnë të thellohen ndërsa lufta hyn në vitin e pestë.

Top Channel