Mbyllet epoka Deschamps, nis ajo Zidane, Franca përgatitet për revolucion

19/07/2026 19:19

Pas 14 vitesh nën drejtumin e Didier Deschamps, kombëtarja franceze kthen përfundimisht faqe. Te Blute mbyllet një epokë prekësë, e dhimbshme në orët e saj të fundit për lamtumirën historike të stafit të saj dhe tani nis epopeja e Zinedine Zidane.

Legjenda e futbollit transalpin është gati të ulet në pankinën e skuadrës së vendit të tij me një diktat të qartë e kategorik që është zbuluar nga e përditshmja ‘L’Equipe’.

Pas kuintave makina ka nisur të lëvizë prej muajsh. Nuk bëhet fjalë për një ndryshim radikal. Zidane ka vendosur të  revolucionojë organigramën aktuale, duke marrë me vete vetëm njerëzit totalisht të besuar. Ky proces nuk do të kursejë asnjë sektor dhe këtu përfshihen edhe rolet që teorikisht janë të padukshëm si magazinerët apo fizioterapistët.

Arkitektura e stafit të ri tashmë është përcaktuar dhe ka bllokun fitues që ka bërë historinë në pankinën e Realit të Madridit. Krahu i djathtë i Zidane do të jetë ai që nuk mungon kurrë, David Bettoni që do të jetë në rolin e zëvendësit të parë të marsejezit, ndërkohë asistenti i dytë do të jetë  Hamidou Msaidie. Supervizioni dhe studimi taktik i kundërshtarëve do t’i besohen analistit Stephane Plancque.

Por surprizat nuk mbarojnë këtu. Për përgatitjen e portierëve, pista që të çon te heroi i Botërorit 1998, Fabien Barthez është shumë e nxehtë dhe shumë pranë një fundi të lumtur. Përsa i përket menaxhimit mjekësor, Zinedine Zidane do t’i besojë një specialisti që mbahet sekret, por që me të cilin ai ka punuar gjatë karrierës së tij legjendare si futbollist. Po kështu është parashikuar rikthimi i përgatitësit atletik, Gregory Dupont që do të ketë një rol strategjik detajet e të cilit ende nuk janë përcaktuar.

Zinedine Zidane tashmë 54 vjeç e di shumë mirë që për të mbajtur Francën në elitën e futbollit botëror, është thelbësore të njohë përmendësh sektorin e të rinjve të talentuar të transalpinëve. Për këtë arsye, trajneri i ri do të ketë konsulencë të ngushte me një prej miqve të tij më të mirë dhe ish shok skuadre, Bernard Diomede, që prej 10 vitesh është kolona e Federatës Franceze në drejtimin e disa prej ekipeve të moshave të Francës.

Kur do të bëhet zyrtarisht dorëzimi i stafetës? Sipas zërave të brendshme, pritet të jetë në fundjavën e ardhshme ose maksimumin të hënën e 27 korrikut, ditë kur mund të mbahet konferenca e parë dhe e shumëpritur për shtyp e trajnerit të ri të Bluve. Kontratat e stafit të ri teknik të Francës do të nisin zyrtarisht në 1 shtator, por debutimi i vërtetë në fushë do të jetë në fund të shtatorit me një kalendar të ngjeshur dhe menjëherë të tensionit të lartë në Nations League:

25 shtator: Turqi – Francë

28 shtator: Belgjikë – Francë

2 tetor: Francë – Itali

5 tetor: Francë – Belgjikë

Kështu, pritja mori fund. Legjenda ulet në pankinën më prestigjioze dhe më me peshë në Evropë. Franca ndryshon fytyrë dhe skuadrat e tjera të Kontinentit të Vjetër janë paralajmëruar, epoka e Zidane nisi zyrtarisht.

Top Channel