‘U njollos skena më e rëndësishme e futbollit’/Zëvendëspresidenti i Federatës së SHBA sulmon Trump dhe Infantinon
Pas 14 vitesh Didier Deschamps mbyll aventurën e tij në pankinën e Francës me fjalë plot emocione pas humbjes 6-4 ndaj Anglisë në finalen për vëndin e tretë të Botërorit. Trajneri pranon gabimet e kryera, lavdëron reagimin e skuadrës dhe më pas kalon stafetën te pasuesi i tij.
‘Ishte një ditë shumë e veçantë-shpjegon Deschamps-do të ishte më mirë të ishim renditur në vendin e tretë, por pas një pjese të parë katastrofike, nuk ishte e mundur. U zemërova, por në pjesën e dytë treguam fytyrën e vërtetë të Francës, me krenari, vendosmërie dhe një futboll që pasqyroi atë çfarë kishim bërë gjatë gjithë këtij Botërori. U përballëm me një skuadër më të fortë se ne’
Deschamps zbulon edhe peshën emotive të lamtumirës.
‘Për herë të parë i thashë vetes se kjo do të ishte hera e fundit që jetoja një moment të tillë-shtoi Deschamps-kam marrë mesazhe që më kanë bërë të qaj. E nisa në 2012 duke vënë kombëtaren franceze mbi gjithçka dhe e mbyll në të njëjtën mënyrë. Jam krenar që i kam shërbyer kësaj skuadre për një kohë kaq të gjatë dhe që e lë në nivelet më të larta edhe pse jo në shkallën më të lartë të podiumit. Dhashë gjithçka, më pëlqeu që kam folur me këta lojtarë gjatë këtij turneu. Dhe tani mbaroi gjithçka’.
Trajneri më pas mori përgjegjësinë për humbjen e pësuar.
‘Gabimi ishte i imi-shtoi trajneri i Francës-do të duhej të kisha bërë zgjedhje të ndryshme që nga fillimi dhe ndoshta ndeshja do të kishte shkuar më mirë. Nuk jam këtu për të sistemuar llogaritë apo të vë gishtin ndaj ndokujt. Disa mund të kishin bërë më mirë, por do të flas direkt me ta’.
Deschamps më pas foli edhe për rotacionin masiv që bëri pas gjysmëfinales me Spanjën
‘Mendova se ishte zgjedhja e duhur-tha ai-iu dhashë hapësirë atyre që kishin luajtur më pak, por nuk e kisha imagjinuar se do të hasnin në kaq shumë vështirësi. Por, reagimi i skuadrës në pjesën e dytë tregon karakterin e këtij grupi’.
Padyshim që Deschamps nuk i kurseu fjalët me vlerësimin maksimal për Kylian Mbappe.
‘Është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe një kapiten i shkëlqyer-shtoi Deschamos-imazhi publik që ka nuk pasqyron realitetin. Ka qenë një shembull brenda dhe jashtë fushe gjatë gjithë Botërorit dhe nuk pendohem që i dhashë shiritin e kapitenit’.
Dhe në fund Deschamps foli për të ardhmen e kombëtares franceze dhe pasuesin e tij Zinedine Zidane
‘Nuk ushqej asnjë mëri. Dua që Franca të vijojë të fitojë. Potenciali është i madh dhe kjo eksperiencë do të rrisë shumë futbollistë. Që sot do të bëhem një tifoz i heshtur’-përfundoi Didier Deschamps
Top Channel