Kaos para finales së madhe! Stuhia “paralizon” Spanjën, Argjentina ia hedh paq

18/07/2026 19:34

Stuhitë dhe rrufetë kanë shkaktuar kaos në përgatitjet e finales së madhe të Kupës së Botës 2026.

Ndërsa Spanja u detyrua të anulojë seancën e saj të fundit stërvitore për shkak të motit ekstrem, Argjentina arriti të zbresë në fushë, megjithëse me vonesë.

Përgatitjet e Spanjës për përballjen e madhe të së dielës (19 Korrik, ora 22:00) morën një kthesë të papritur. Skuadra e Luis de la Fuentes ishte gati për të nisur stërvitjen, por stuhitë e forta elektrike në New Jersey aktivizuan menjëherë protokollin e sigurisë së shtetit. Rregullorja është e qartë: nëse distanca kohore mes rrufesë dhe bubullimës është më pak se 30 sekonda, çdo aktivitet i hapur ndërpritet për të paktën gjysmë ore.

Për pasojë, lojtarët dhe gazetarët e pranishëm u evakuuan me shpejtësi. “Furia e Kuqe” e mbylli përgatitjen e saj e detyruar brenda në palestër dhe më pas në ambientet e hotelit në Montclair, duke rikthyer në vëmendje peripecitë e ngjashme me motin që i kanë përndjekur gjatë këtij turneu në Puebla, Chattanooga dhe Guadalajara.

Në mënyrë ironike, trajneri De la Fuente kishte deklaruar në konferencën për shtyp se skuadra ishte e plotë, për sa kohë “nuk ndodhte asgjë e çuditshme në stërvitjen e fundit”. E “çuditshmja” ndodhi, pasi stërvitja as nuk u zhvillua.

Gjendja e ekipit dhe Argjentina

Pavarësisht kaosit, lajmi i mirë për spanjollët është se Lamine Yamal dhe Pedro Porro janë në formë 100%. Spanja pritet të zbresë në fushë me të njëjtin formacion fitues që përdori kundër Belgjikës dhe Francës: Fabian Ruiz dhe Rodri në mesfushë, ndërsa në sulm pritet trioja Lamine, Oyarzabal dhe Alex Baena.

Nga ana tjetër, Argjentina e Lionel Messit, e cila stërvitet në një qendër tjetër, u përball me të njëjtat vështirësi meteorologjike. Megjithatë, fati ishte me amerikano-latinët; pasi pritën disa minuta në palestër, përmirësimi i kushteve u lejoi atyre të zhvillonin normalisht seancën e fundit para finales.

Top Channel