Dueli në distancë për “Këpucën e Artë”/ Çfarë i duhet Mbappé-së sot për t’i rrëmbyer trofeun Messit?

18/07/2026 19:24

Franca dhe Anglia zbresin sonte në fushë për finalen e vendit të tretë, një ndeshje që asnjëra nga skuadrat nuk dëshironte ta luante, pasi të dyja preferonin dritat e Nju Jorkut në vend të “detit të Miamit”.

Megjithatë, përtej zhgënjimit, kjo përballje mbart një peshë të madhe statistikore dhe historike. Vëmendja kryesore do të jetë te Kylian Mbappé dhe gara e hapur për “Këpucën e Artë”. Aktualisht, sulmuesi francez ka të njëjtin numër golash me Lionel Messin, por ylli argjentinas është në avantazh për shkak se ka dhënë një asist më shumë, gjë që shërben si kriter vendimtar. Mbappé kërkon një gol sonte jo vetëm për t’i bërë presion Messit për trofeun e këtij Botërori, por edhe për t’u ngjitur në klasifikimin e golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave; aktualisht Messi kryeson me 21 gola, ndërsa Mbappé e ndjek me 20.

Nga ana tjetër, ky 90-minutësh do të shënojë fundin e një epoke për Francën, pasi Didier Deschamps drejton “Gjelat” për herë të fundit pas 15 vitesh në stol. Vetë Deschamps e ka cilësuar këtë rrugëtim si gjënë më të mrekullueshme që i ka ndodhur në jetën e tij profesionale.

Për Anglinë, atmosfera mbetet e rënduar pas eliminimit nga Argjentina në gjysmëfinale. Trajneri Thomas Tuchel ndodhet në qendër të kritikave, por pritet të mbetet në drejtim të skuadrës për Kampionatin Europian. Ndërkohë, kjo sfidë mund të jetë ndeshja e fundit në një Kupë Bote për Harry Kane, i cili gjithashtu është në zonën e “Këpucës së Artë”, por do t’i duhej të paktën një tregolësh sot për të pretenduar trofeun.

Top Channel