Mesazhi i Presidentit Macron për Didier Deschamps: Fundi i një epoke për “Les Bleus”
Sonte, Didier Deschamps do të ulet për herë të fundit në pankinën e “Gjelave” në përballjen e madhe ndaj Anglisë për vendin e tretë në Kupën e Botës 2026.
Por, ndërsa të gjithë presin një lamtumirë dinjitoze pas 15 vitesh në detyrë, një statistikë e frikshme nga 40 vitet e fundit ka dalë në dritë, duke ngritur një pyetje të madhe: A jemi në prag të një tjetër “mallkimi” për stolin e Francës?
Nëse i hedhim një sy historisë së përzgjedhësve francezë gjatë katër dekadave të fundit, lamtumira ka qenë shpeshherë e hidhur, e mbushur me zhgënjime ose skandale. Në fakt, me një përjashtim të vetëm e të lavdishëm, të gjithë trajnerët e tjerë kanë dështuar të fitojnë në ndeshjen e tyre të fundit.
Ja si ka qenë bilanci i ndeshjeve të fundit (dhe kryesisht tragjike) për trajnerët e kombëtares franceze:
Henri Michel (1988): Barazim 1-1 ndaj Qipros.
Michel Platini (1992): Humbje 1-2 ndaj Danimarkës.
Gérard Houllier (1993): Humbje 1-2 ndaj Bullgarisë (një nga traumat më të mëdha në historinë e futbollit francez).
Aimé Jacquet (1998): FITORE 3-0 ndaj Brazilit (I vetmi që theu mallkimin, duke fituar Kupën e Botës dhe duke u larguar si hero).
Roger Lemerre (2002): Humbje 0-2 ndaj Danimarkës.
Jacques Santini (2004): Humbje 0-1 ndaj Greqisë.
Raymond Domenech (2010): Humbje 1-2 ndaj Afrikës së Jugut (largim me turp në mes të rebelimit të lojtarëve).
Laurent Blanc (2012): Humbje 0-2 ndaj Spanjës.
Didier Deschamps (2026): vs Anglia…
Tani, e gjithë vëmendja është te njeriu që i dha Francës Kupën e Botës në vitin 2018. A do të arrijë Deschamps të ndjekë gjurmët e Aimé Jacquet për ta mbyllur epokën e tij të gjatë me një fitore prestigjioze, apo historia “e zezë” e lamtumirave do të godasë sërish kundër rivalëve historikë anglezë?
Përgjigjen do ta japë fusha sonte, në atë që pritet të jetë një 90-minutësh plot emocione dhe nostalgji për “Gjelat”.
Top Channel