Formacionet Zyrtare/ Në Miami luhet finalja e vogël, Franca dhe Anglia përballë njëra-tjetrës për medaljen e bronzit
Më shumë se 7 milionë postime abuzive dhe fyese të drejtuara ndaj lojtarëve dhe anëtarëve të stafeve janë zbuluar në rrjetet sociale gjatë Kupës së Botës 2026.
Sipas FIFA-s, shkalla e zbulimit të këtyre postimeve ishte 14 herë më e lartë krahasuar me Botërorin e vitit 2022, gjatë të cilit u fshinë rreth 470,000 mesazhe të tilla. Shërbimi i Mbrojtjes në Mediat Sociale (SMPS) i FIFA-s, një strukturë që synon të mbrojë lojtarët, ekipet dhe zyrtarët nga kërcënimet online dhe gjuha e urrejtjes, i raportoi këto shifra alarmante ditën e shtunë.
Gjatë këtij kompeticioni, ekipi i SMPS-së ka analizuar mbi 500,000 mesazhe të dyshimta të kapura nga sistemet e Inteligjencës Artificiale. Këto sulme kishin në shënjestër kryesisht lojtarët, trajnerët dhe zyrtarët e ndeshjeve. Situata ka qenë aq serioze sa më shumë se 1,000 kërcënime i janë referuar autoriteteve përkatëse dhe forcave të zbatimit të ligjit për hetime të mëtejshme.
Që nga fillimi i Kupës së Botës, e cila mbyllet këtë të diel me finalen e madhe mes Argjentinës dhe Spanjës, SMPS ka monitoruar dhe filtruar mbi 53 milionë postime dhe komente në platforma të ndryshme.
Përtej gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve, FIFA bëri me dije në fillim të këtij muaji se mesazhet me përmbajtje raciste përbëjnë plot 11% të totalit të postimeve fyese të regjistruara deri më tani gjatë turneut.
Top Channel