Formacionet Zyrtare/ Në Miami luhet finalja e vogël, Franca dhe Anglia përballë njëra-tjetrës për medaljen e bronzit
Fotografia virale e Lionel Messit duke larë një Lamine Yamal foshnjë është kthyer në kryefjalën e finales së madhe të Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës.
Pamja duket aq e pabesueshme saqë edhe vetë shokët e skuadrës së talentit spanjoll kanë mbetur të shtangur. Mesfushori i kombëtares së Spanjës, Mikel Merino, ka komentuar këtë imazh epik gjatë një konference për shtyp në prag të finales, duke zbuluar reagimin e tij të parë kur e kishte parë foton në rrjetet sociale.
“Kur e pashë foton për herë të parë, sinqerisht mendova se ishte fake, e krijuar nga Inteligjenca Artificiale (IA),” pranoi Merino para gazetarëve, duke buzëqeshur. “Është e jashtëzakonshme sesi funksionon fati. Të mendosh që ai fëmijë tani do të përballet me atë legjendë në një finale të Kupës së Botës, duket vërtet si diçka e pabesueshme, si një skenar i shkruar fiks për këtë moment.”
Imazhi, i cili është shkrepur vite më parë për një kalendar solidariteti dhe bamirësie nga UNICEF dhe gazeta Sport, ka marrë një dimension krejt tjetër tani. Lamine Yamal nuk është më një foshnjë, por ylli kryesor i Spanjës që po thyen çdo rekord në këtë Botëror.
Të dielën, dyshja do të zbresë në fushën e MetLife Stadium, jo më për një set fotografik, por si kundërshtarë për të vendosur se kush do të ngrejë trofeun më të lakmuar në botë. Për Merinon dhe pjesën tjetër të ekipit, kjo përballje mes së shkuarës dhe së ardhmes i shton edhe më shumë magji një finaleje tashmë historike.
Top Channel