Nga hapat e parë në kombëtare te lavdia, Scaloni e De La Fuente sfidohen në një finale me shije revanshi

17/07/2026 12:51

Të dielën e 19 korrikut do të jetë Spanja kundër Argjentinës, por edhe Luis De La Fuente kundër Lionel Scalonit; dy trajnerë që i bashkon një rrugëtim ndryshe nga shumica e kolegëve të tjerë të Botërorit 2026, por që janë kompensuar nga rezultatet e viteve të kaluara dhe nga finalja e madhe e kësaj fundjave.

Besnikët e Federatave. Trajnerë klubi apo teknikë federalë? Ndoshta nuk ka një formulë të saktë, edhe pse faktet, aktualisht i japin të drejtë atyre që zgjedhin një trajner për ta rritur brenda federatës futbollistike dhe Luis De La Fuente e Lionel Scaloni e kanë vërtetuar; i pari, pasi fitoi me Spanjën Evropianin U19 dhe U21 u konfirmua edhe me kombëtaren e parë duke fituar një Nations League dhe një Evropian. Scaloni pas një eksperience të shkurtër si asistent te Sevilla, mori fillimit rolin e zv/trajnerit dhe më pas të trajnerit të parë të Albiceleste, duke fituar dy Copa America dhe Botërorin 2022 në Katar. E gjithë kjo bëhet akoma më kurioze nga fakti që Scaloni në 2017 ka qenë nxënës pikërisht i De La Fuentes në kursin UEFA Pro e organizuar nga Federata Spanjolle e Futbollit në Las Rozas për formimin e trajnerëve të rinj. Kushedi se çfarë do të mendojnë të dielën trajnerët kur të përballen mes tyre në një sfidë ku në lojë është Kupa e Botës.

Dështimi i ‘të mëdhenjve’. Të ashtuquajturit trajnerët e klubeve, në këtë botëror kanë dështuar; mjafton të mendosh Tuchel i kritikuar në Angli për qasjen e tij taktike që aplikoi në pjesën e dytë në gjysmëfinalen kundër Argjentinës apo Ancelottin, fitues me të gjithë klubet më të rëndësishëm në botë, por që u kthye në shtëpi me Brazilin e tij nga Norvegjia në 1/8 e finaleve. Po kështu Julian Nagelsmann, ish trajneri i Leipzig dhe Bayernit të Mynihut, që u eliminua me Gjermaninë e tij në 1/16 të finaleve nga Paraguaji.

Një traditë edhe italiane. Edhe Italia në të kaluarën iu ka besuar trajnerëve që kanë bërë rrugëtime të ngjashme me atë të Scalonit dhe De La Fuentes; për këtë përmendet Bearzot që e nisi nga U23 për të arritur te fitorja e Botërorit 1982 apo Cesare Maldini, që fillimisht ishte asistent i vetë Bearzot  më pas u bë trajneri i Italisë U21 dhe kombëtares së madhe. Pas Sacchit, tendenca ka qenë gjithnjë që t’iu besohet trajnerëve me të kaluar në klube që, si në rastin e Lippit në 2006 apo Mancinit në 2021, ia dolën të arrinin suksese madhore me kombëtaren italiane edhe pse pas dështimit për herë të tretë në Botëror të Të Kaltërve, mund të sjellë reflektime të tjera.

Top Channel