Lautaro Martinez dhe goli i fitores ndaj Anglisë: E kisha parë në ëndërr…

17/07/2026 11:52

Goli që dërgoi Argjentinën në finalen e Botërorit ndaj Spanjës, mban emrin e Lautaro Martinez. Sulmuesi i Interit me finalizimin e tij fiksoi rezultatin 2-1 të skuadrës Albiceleste në sfidën me Anglinë, një moment që shkaktoi një emocion të papërmbajtshëm te Lautaro Martinez.

‘Është goli që ëndërroja që kur babai im më dhuroi këpucët e para të futbollit-rrëfen për të përditshmen ‘La Repubblica’, Lautaro Martinez që më pas pranoi me ironi-do të tentoj të mos qaj prapë, kam qarë mjaft.

Pavarësisht se në rrugëtimin e tij në këtë botëror nuk ka qenë gjithnjë titullar, Lautaro Martinez ka ditur të menaxhojë frustrimin e tij me profesionalitet.

‘Sigurisht që nuk jam i kënaqur sepse dua gjithnjë të luaj, kur jam te Interi nëse jam jashtë fushe zemërohem, por në fund të fundit 11 lojtarë hyjnë nga fillimi dhe 5 më vonë dhe duhet vetëm të mendosh të japësh gjithçka-vijoi Lautaro Martinez që nënvizoi se suksesi kolektiv është udhëhequr nga sakrifica dhe se si ka mësuar duke vëzhguar Messin.

‘Si shembull kemi futbollistin më të mirë në botë-tha Lautaro-atë që të bën të kesh dëshirë të ulësh kokën, të vraposh, të punosh, të kesh modestinë, të sakrifikohesh’.

Një gol, ai kundër anglezëve, erdhi pas një parandjenje.

‘E pashë në ëndërr, ju betohem-tregon Lautaro për të cilin ai moment përfaqëson edhe një rilindje personale pas vitesh të tëra dyshimesh-kam kaluar periudha kur edhe jam lënë jashtë, nuk ishin të shumtë ata që kishin besim te unë, por unë jam gjithnjë i bindur se ajo rrugë të sjell këtu’

Tani sulmuesi i Interit shikon të ardhmen e tij me më shumë vetë dije.

‘I kam bërë vetes pyetje, po, por ndeshje të caktuara të çlirojnë mendjen dhe bëjnë që të të dalin llogaritë. Çdo argjentinas do të donte të shënonte atë gol dhe e shënova unë’-përfundoi Lautaro Martinez

Top Channel