Zendaya mahnit në premierën e “Odisea”, shfaqet me një fustan spektakolar me krahë engjëlli

15/07/2026 09:50

Zendaya ka tërhequr të gjitha vëmendjet në premierën e filmit të ri “The Odyssey” në New York, me një paraqitje të veçantë që u cilësua si një nga momentet më mbresëlënëse të turneut promovues të filmit.

Aktorja u shfaq të martën në mbrëmje, më 14 korrik, në tapetin e kuq të premierës së filmit të ri të regjisorit Christopher Nolan në Teatrin AMC Lincoln Square, e veshur me një krijim të bardhë spektakolar me krahë të mëdhenj, që i jepnin një pamje engjëllore dhe lidhej me personazhin e saj në film.

Zendaya, e cila interpreton perëndeshën Athena në “The Odyssey”, zgjodhi një fustan të krijuar nga shtëpia franceze e modës Matières Fécales. Veshja kishte një dekolte asimetrike pa rripa, një bisht elegant dhe pupla të mëdha të bardha në pjesën e shpinës, duke krijuar një pamje të frymëzuar nga mitologjia greke.

Aktorja e kompletoi paraqitjen me taka të bardha, një bishtalec të gjatë dhe grim në tone natyrale. Aksesorët përfshinin edhe vathë të gjatë me diamante nga marka luksoze Chopard. Pamja e saj u realizua nga stilisti i saj i njohur dhe bashkëpunëtori prej kohësh, Lo Roach.

Paraqitja e Zendayas u kthye menjëherë në një nga momentet më të komentuara të premierës, ndërsa fotografitë e saj qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale.

Në premierë ishin të pranishëm edhe aktorë të tjerë të kastit të filmit, mes tyre Matt Damon, Anne Hathaway dhe Charlize Theron.

“The Odyssey” është një adaptim kinematografik i veprës së famshme të Homerit dhe sjell një kast të madh aktorësh. Matt Damon interpreton Odiseun, Anne Hathaway luan Penelopën, Zendaya personifikon perëndeshën Athena, Robert Pattinson interpreton Hermesin, ndërsa Charlize Theron luan rolin e shtrigës Circe. Filmi i Christopher Nolan pritet të shfaqet në kinematë botërore më 17 korrik.

Top Channel