Video dramatike nga zjarret në Kanada/ Flakët rrethojnë një tren mallrash, zjarrfikësit në luftë me kohën
Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u mblodh sot për të diskutuar mbi ecurinë e punës dhe raportet e paraqitura nga ekspertët.
Bashkëkryetari i Komisionit, deputeti Luciano Boçi, kritikoi mënyrën se si mazhoranca po përpiqet të përshpejtojë procesin, duke anashkaluar disa prej etapave të miratuara në projektkalendarin e punës.
“Ne e ftojmë Komisionin të respektojë veten dhe vendimet që ka miratuar. Kemi një projektkalendar dhe nuk mund të digjen etapat e përcaktuara në të”, deklaroi Boçi.
Sipas tij, raporti i paraqitur mbështetet kryesisht mbi Reformën Administrativo-Territoriale të vitit 2014, ndërkohë që Komisioni duhet të zhvillojë fillimisht një analizë të plotë të reformës ekzistuese dhe më pas të përcaktojë parimet mbi të cilat do të ndërtohet reforma e re.
Boçi ngriti pikëpyetje mbi punën e ekspertëve të mazhorancës për një model të ri territorial, në një kohë kur Komisioni ende nuk ka miratuar parimet dhe metodologjinë mbi të cilat duhet të bazohet reforma.
“Si mund të kenë punuar ekspertët e mazhorancës për Reformën Administrativo-Territoriale 2, kur ende nuk kemi përcaktuar parimet e saj?”, pyeti ai.
Nga ana tjetër, bashkëkryetari Arbjan Mazniku u shpreh se është opozita ajo që në mënyrë sistematike ka kërkuar të mos e çojë procesin përpara, të heqë hallka, kohë, diskutime dhe të vonojë hapat.
“U tha një moment që papritur na thuhet që nuk kishte kohë. Koha ka qenë e shkruar në dokumentin e komisionit. Edhe kur u krijua komisioni unë kam thënë që këtë punë duhet ta përmbyllim deri në vjeshtë, që në zgjedhjet e 2027 të hyjmë me sistemin e ri, për të mos humbur 8 vite. Koha nuk është e papritur, 9 muaj nuk mbarojnë papritur. Harta është produkt i një procesi dhe disa parimesh që ngrihen rrugës. Problemi që kemi është që në mënyrë sistematike opozita ka kërkuar të mos e çojë procesin te ky hap, të heqë hallka, kohë, diskutime, të vonojë hapat”, tha Mazniku.
Po ashtu Mazniku shtoi se mazhoranca ka qenë shumë transparente dhe tha se axhenda në mënyrë sistematike është penguar nga opozita.
“Ka pasur një axhendë sistematike për të djegur punën e këtij komisioni nëpërmjet afateve. Ne kemi bërë politikë, ekspertët kanë bërë punë profesionale. Ne kemi detyrë që t’i çojmë seancës plenare një raport dhe një hartë. Është detyra që na ka dhënë Parlamenti. Ajo që na ka karakterizuar në mënyrë konstante ka qenë një axhendë e qartë nga ana e opozitës për të djegur afatet e vendosura.
Që nga data e konstituimit kanë kaluar 9 muaj. Ka pasur raste kur është thënë: “Jo këtë javë, sepse kemi protestë.” Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të akomoduar çdo kërkesë të opozitës. Mazhoranca ka qenë shumë transparente dhe ka përgjegjësinë, si edhe barrën qeverisëse. Axhenda, në mënyrë sistematike, është penguar nga opozita. Duhej të kishim zhvilluar shumë më tepër takime dhe të kishim përfunduar dëgjesat tematike, por kjo është pamundësuar për shkak të mungesës së gatishmërisë për të zhvilluar mbledhje nga ana juaj”, u shpreh Mazniku.
Bashkëkryetari Boçi evidentoi gjithashtu se procesi i dëgjesave nuk ka përfunduar. Sipas tij, dëgjesa për Qarkun e Tiranës ende nuk është mbyllur, ndërsa kryetarët e bashkive të Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Lezhës nuk janë paraqitur në Komision, megjithëse ishin të detyruar të merrnin pjesë.
Ai shtoi se nuk janë zhvilluar ende dëgjesat me komunitetet, grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare, nuk është realizuar sondazhi publik dhe as vizitat studimore të parashikuara në kalendar.
“Ku është dokumenti politik? Ku janë dy ose tre variantet që duhet t’i paraqiteshin Komisionit? Si mund të flasim për një raport përfundimtar, kur pjesa më e madhe e detyrimeve të miratuara nuk është realizuar?”, u shpreh Boçi.
Deputeti kërkoi shtyrjen e afatit të Komisionit deri në muajin tetor, me qëllim që puna të përfundojë në mënyrë serioze dhe të respektohen edhe afatet kushtetuese për ndryshimet ligjore.
Ai solli si argument edhe shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke theksuar se puna e dy komisioneve është e lidhur drejtpërdrejt. Komisioni e përfundon mandatin në fund të këtij muaji.
“Kemi plotësuar vetëm dy pika e gjysmë të projektkalendarit. Duhet të përfundojmë pikën e tretë dhe të bëjmë një punë që i shërben qytetarëve, jo një reformë të nxituar dhe të paracaktuar”, deklaroi Boçi.
Sipas tij, dëgjesat e zhvilluara deri tani kanë treguar se propozimi për reduktimin e numrit të bashkive nuk gëzon mbështetje të gjerë. Përkundrazi, një pjesë e dëshmive dhe propozimeve të paraqitura kanë kërkuar ruajtjen e 61 bashkive ose shtimin e numrit të tyre.
“Ne nuk po imponojmë mendimin tonë. Po kërkojmë vetëm respektimin e rendit të ditës dhe të projektkalendarit që është miratuar me votë nga vetë Komisioni”, përfundoi Boçi.
Top Channel