Kryeministri në detyrë i Kosoves, Albin Kurti, ka deklaruar se takimet e zhvilluara me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë zhvilluar në frymë konstruktive, në kuadër të konsultimeve për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare.

Në një postim në Facebook, Kurti tha se është ende herët për të folur për rezultate konkrete, por u shpreh optimist për rrugën përpara. “Është ende herët të flasim për rezultate konkrete, por mbetemi optimist për rrugën përpara.

Fryma konstruktive përgjatë bisedimeve njëmend nuk paraqet marrëveshje e garanci për sukses, por meqenëse jemi veçse te takimi i parë pas certifikimit të rezultatit kemi shpresë për avancim në vijim. Jemi të angazhuar dhe të përkushtuar që vullnetin e shprehur të popullit ta jetësojmë me institucione të reja e funksionale, që punojnë për të mirën e qytetarëve dhe Republikës”, ka shkruar ai.

Pas takimit me Bedri Hamzën, Kurti tha se beson se ekziston vullneti për konstituimin e institucioneve, ndërsa theksoi se për zgjedhjen e presidentit nevojitet bashkëpunimi i të gjitha forcave politike.

Ai u shpreh në favor të një figure konsensuale për këtë post, ndërsa pas takimit me Lumir Abdixhikun bëri të ditur se diskutimet janë përqendruar në parime, koncepte, afate dhe funksione, duke lënë të kuptohet se synohet një marrëveshje më e gjerë politike.

Nga ana tjetër, Bedri Hamza konfirmoi se PDK do të mbetet në opozitë gjatë këtij mandati, megjithëse tha se partia mbetet e hapur për dialog politik. Ndërkohë, Lumir Abdixhiku e cilësoi takimin me Kurtin si një hap të mirë drejt vazhdimit të diskutimeve, duke theksuar se LDK-ja mbështet krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe ruajtjen e balancës demokratike në vend.

Top Channel