Botërori 2026/ Collina bën bilancin: Arbitrat nuk janë ndikuar nga askush, as nga Infantino

09/07/2026 10:17

Teksa Botëori 2026 ka hyrë në fazat më vendimtare të tij, shefi i arbitrave në FIFA, Pierluigi Collina bën një bilanc të punës së bërë nga klasa arbitrare deri në këtë moment të kompeticionit.

Në një intervistë për faqen zyrtare të FIFA, ish arbitri i njohur italian deklaroi se arbitrat nuk janë ndikuar nga askush.

‘Askush nuk mund të vëjë në dyshim integritetin e arbitrave të ndeshjeve të Botërorit-tha Collina-dhe askush nuk mund të pretendojë se arbitrimi i FIFA mund të jetë ndikuar kushedi nga kush, as nga presidenti Gianni Infantino. Infantino gjithnjë ka treguar mbështetje të plotë për skuadrën arbitrare të FIFA, duke besuar te aftësitë tona për të vepruar në pavarësi të plotë. Arbitrat marrin vendime në mirëbesim dhe ashtu si futbollistët dhe trajnerët, kërkojnë gjithnjë të japin maksimumin’

Duke bërë bilancin e pjesës së parë të Botërorit, Collina tha se është i kënaqur.

‘Në përgjithësi jemi të kënaqur. Megjithatë duke parë numrin e madh të ndeshjeve të luajtura në një hark kohor relativisht të shkurtër, është normale që diçka nuk ka shkuar siç u parashikua-shtoi Collina.

Mes episodeve të analizuara nga Collina ishte edhe goli i anuluar i Ziko në ndeshjen mes Egjiptit dhe Argjentinës kur rezultati ishte 1-0 në favor të ‘Faraonëve’, një ndeshje që u fitua nga Argjentina 3-2.

‘Attia duket qartë që i ka shkelur këmbën Lisandro Martinez-tha Collina-pas çdo goli VAR kontrollon fazën e zotërimit të topit në fazën sulmuese. Nëse identifikohet një faull në momentin e ndërtimit të aksionit, siç ndodhi në këtë rast dhe rezulton se ka pasur impakt te goli, VAR rekomandon rishikimin e episodit. Nuk ekziston një limit as për distancën nga porta e as për harkun kohor mes episodit dhe golit’.

Top Channel