“Irani është kancer, duhet ndaluar para se të jetë vonë”/ Trump: Sulmet janë shembuj që regjimi i tyre është një kërcënim serioz
Skandali “Predator” rikthehet në qendër të vëmendjes në Greqi.
Skandali i përgjimeve me programin e paligjshëm Predator është rikthyer sërish në qendër të debatit politik dhe gjyqësor në Greqi, pas dy zhvillimeve të rëndësishme: ish-kryeministri Antonis Samaras kërkoi hetim të plotë të çështjes, ndërsa tetë viktima të përgjimeve paditën kompaninë Intellexa dhe personat që konsiderojnë përgjegjës, duke kërkuar dëmshpërblim prej 7,6 milionë eurosh.
Çështja e përgjimeve me anë të këtij programi shpërtheu në vitin 2022, kur u zbulua se dhjetëra gazetarë, politikanë, biznesmenë, zyrtarë të lartë të shtetit dhe oficerë të shërbimeve të sigurisë ishin vënë nën përgjim. Programi Predator infektonte telefonat celularë përmes mesazheve me lidhje të rreme. Pasi viktima klikonte mbi to, telefoni shndërrohej në një pajisje përgjimi, duke u dhënë operatorëve akses në biseda, mesazhe, e-mail, fotografi, mikrofon dhe kamera.
Ndër emrat më të njohur që u përfshinë në skandal ishin kryetari i PASOK-ut, Nikos Androulakis, gazetari Thanasis Koukakis, ish-kryeministri Antonis Samaras, ministri i Jashtëm Nikos Dendias, ministra të qeverisë, drejtues të forcave të armatosura dhe të policisë, si edhe shumë zyrtarë të tjerë. Para disa muajsh, një gjykatë greke shpalli fajtorë në shkallë të parë katër drejtues të lidhur me rrjetin e Predator-it.
Por tashmë, ish-kryeministri Antonis Samaras, i përjashtuar para një viti nga Demokracia e Re dhe në një moment kur flitet se do të krijojë edhe ai një parti të re, duke iu kundërvënë kryeministrit aktual Mitsotakis, i është drejtuar Prokurorit të Gjykatës së Lartë, duke kërkuar hetim të plotë për infektimin e telefonit të tij me Predator. Ai deklaron se prej kohësh ka kërkuar shpjegime nga qeveria, por nuk ka marrë përgjigje. Nga ana tjetër, zëdhënësi i qeverisë është përgjigjur disa herë se tani fjalën e ka drejtësia.
Në të njëjtën kohë, tetë persona që rezultojnë të jenë përgjuar me Predator kanë depozituar një padi civile, duke kërkuar dëmshpërblim për shkeljen e privatësisë dhe të të dhënave personale. Shtatë prej tyre kërkojnë nga një milion euro secili, ndërsa njëri kërkon 600 mijë euro. Procesi është caktuar të zhvillohet më 7 prill 2027.
Tetë paditësit janë gazetari Thanasis Koukakis, ekspertja e sigurisë kibernetike Artemis Seaford, ish-drejtuesja e Policisë Greke Pinelopi Miniati, ish-bashkëpunëtorja e eurodeputetit Stelios Kympouropoulos, Antonia Primpa, dy punonjëset e Shërbimit Informativ Grek (EYP), Angeliki Roussou dhe Zoi Maria Sakkali, avokati Ioannis Fytilis dhe gazetari Spyros Sideris.
Sipas padisë, përgjimet nuk prekën vetëm jetën private të viktimave, por edhe informacione tepër të ndjeshme. Ish-drejtuesja e policisë, Pinelopi Miniati, pretendon se përmes telefonit të saj ishte e mundur të përgjonin komunikimet me prokurorë, drejtues të policisë, diplomatë dhe zyrtarë të lartë të shtetit, fakt që, sipas paditësve, përkon edhe me çështjet e sigurisë kombëtare.
Top Channel