Lituania dhe Estonia hyjnë në “klubin e 5%”, ‘mburren’ me shpenzimet rekord për mbrojtjen në samitin e NATO-s

08/07/2026 13:18

Lituania dhe Estonia kanë tërhequr vëmendjen në samitin e NATO-s duke u prezantuar si pjesë e “klubit të 5%”, një grup simbolik i vendeve që kanë arritur ose tejkaluar objektivin për të shpenzuar 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda, u shfaq me një karficë në xhaketë me mbishkrimin “5% Club”, të cilën ia tregoi me krenari Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë ceremonisë së mirëseardhjes në samit.

Edhe ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, dhe homologu i tij lituanez, Kęstutis Budrys, promovuan pjesëmarrjen në këtë “klub” përmes postimeve në rrjetet sociale.

Sipas projeksioneve të NATO-s për vitin 2026, Lituania pritet të shpenzojë 5.33% të PBB-së për mbrojtjen, duke u renditur e para mes vendeve anëtare. Estonia vjen e dyta me 5.10%, ndërsa Letonia renditet e treta me 4.92% dhe Polonia e katërta me 4.68%.

Vendet e krahut lindor të aleancës kanë rritur ndjeshëm investimet ushtarake për shkak të afërsisë me Rusinë dhe situatës së sigurisë në rajon.

Në kontrast, Spanja vazhdon të mbetet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për mbrojtjen, me vetëm 2% të PBB-së, çka e ka vendosur në qendër të kritikave të Presidentit amerikan Donald Trump gjatë samitit.

Top Channel