Turqia kërkon më shumë ndikim në NATO, samiti i Ankarasë shndërrohet në betejë për rolin e ri strategjik

07/07/2026 13:03

Samiti kyç i NATO-s në Ankara nisi sot punimet mes masash të rrepta sigurie të marra nga autoritetet turke, të cilat e konsiderojnë këtë takim një mundësi të rëndësishme për të rritur rolin strategjik të vendit brenda Aleancës.

Turqia synon të paraqitet jo vetëm si mbrojtëse e krahut juglindor të NATO-s, por edhe si një aktore e rëndësishme në formësimin e politikave të sigurisë. Qeveria turke mbështetet në pozicionin e saj gjeostrategjik, ushtrinë e dytë më të madhe të aleancës dhe industrinë e mbrojtjes në zhvillim për të forcuar ndikimin e saj. Turqia, sipas ekspertëve, e shikon si avantazh edhe pasigurinë që rrethon angazhimin e ardhshëm të SHBA-së në mbrojtjen e Europës, duke kërkuar që vendet europiane joanëtare të BE-së, si ajo vetë, Britania e Madhe dhe Norvegjia, të kenë rol të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë europiane.

Një tjetër objektiv i Ankarasë është promovimi i industrisë së saj të mbrojtjes, e cila numëron rreth 3.000 kompani dhe po fiton gjithnjë e më shumë peshë brenda Aleancës. Turqia planifikon gjithashtu të rrisë shpenzimet ushtarake në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2030. Në samit, Turqia do të kërkojë që NATO t’i kushtojë më shumë vëmendje sfidave të sigurisë në Detin e Zi, Lindjen e Mesme dhe Europën Jugore, si edhe të forcojë bashkëpunimin me partnerët në rajon përmes Iniciativës së Bashkëpunimit të Stambollit.

Për llidershipin turk, samiti përfaqëson një mundësi për të konsoliduar pozicionin e vendit si një partner i domosdoshëm i NATO-s dhe një faktor me ndikim në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. Ndërohë, në këtë samit kryeministrja italiane Giorgia Meloni mbërrin mes tensioneve me Donald Trump, pas shkëmbimeve të ashpra publike që pasuan samitin e G7. Sipas mediave italiane, Meloni ka vendosur të mos reagojë më ndaj sulmeve të Trump, duke ruajtur një qëndrim institucional dhe duke u përqendruar te objektivat e Italisë në samit.

Në prag të takimit, Meloni kontaktoi përfaqësues të stafit të Trump, ku thuhet se është shprehur pakënaqësi edhe brenda Shtëpisë së Bardhë për deklaratat e fundit të presidentit amerikan. Ndërkohë, organizimi i samitit është menduar të shmangë situata të sikletshme mes liderëve.

 

Top Channel