Në Botërorin e yjeve ka vetëm një mungesë të madhe, çfarë po i ndodh Lamine Yamal

07/07/2026 13:55

Spanja arriti të kualifikohet për në çerekfinale të Botërorit 2026 pasi mundi Portugalinë 1-0. Ishte një ndeshje shumë e ekuilibruar të cilën La Roja arriti ta zhbllokojë vetëm në minutën e 91 me golin e Mikel Merinos.

Pas fërshëllimës së fundit të arbitrit Cristiano Ronaldo fshin lotët dhe përshëndet Lamine Yamal me dy futbollistët që bëhen protagonistë të një përqafimi që duket edhe si një moment i dorëzimit të stafetës nga 5 herë fituesi i Topit të Artë te talenti i Barcelonës, që i mahniti të gjithë në Euro 2024. Por në atë imazh ka një notë të stonuar…

Në Botërorin ku po shkëlqejnë të gjithë yjet; Messi, Mbappé, Haaland, Kane, Vinicius, Dembelé e Bellingham, i vetmi që mungon është pikërisht 18 vjeçari blaugrana i cili deri tani ka shënuar vetëm 1 gol, atë ndaj Arabisë Saudite. Yamal edhe në ndeshjen me Portugalinë nuk kishte saktësinë e zakonshme, ato shpërthimet e tij në krahë dhe që u markua mirë nga Nuno Mendes deri në momentin që ky i fundit la fushën e lojës për shkak të një problemi muskular.

Por çfarë po i ndodh yllit të Spanjës? Teoria e futbollistit të ri që vuan presionin e Botërorit të tij të parë në karrierë, nuk mban. Yamal edhe pse 18 vjeç ka fituar një Evropian si protagonist dhe ka zhvilluar ndeshje të një niveli të lartë në Champions League me Barcelonën, kështu që shpjegimi qëndron te… ‘mallkimi i penalltisë’.

Yamal nuk është në formën optimale të tij dhe në fund udhëtoi në SHBA pas një terapie të gjatë konservative në muskujt e pasëm të kofshës së majtë sepse në 22 prill u dëmtua në fazën finale të sezonit ku Barcelona u shpall kampione e La Liga. Talenti spanjoll pati një problem që rrezikoi seriozisht pjesëmarrjen e tij në Botëror. ‘U luta brenda meje që të mos ishte gjë serioze, që të ishte një ngërç apo diçka e tillë, sepse e shihja Botërorin shumë pranë dhe e dija që një dëmtim i kësaj natyre nuk kalon në një kohë të shkurtër-deklaroi në atë moment Yamal.

Kurioze ishte dinamika e dëmtimit, që erdhi teksa ekzekutoi një penallti në ndeshjen me Celta Vigo. Siç i ndodhi Kevin De Bruyne gjatë sfidës mes Napolit dhe Interit në tetorin e vitit të kaluar, një problem që e mbajti belgun jashtë fushave për 130 ditë. Pak ditë pas atij episodi, ‘mallkimi i penalltisë’ ra edhe mbi Paulo Dybalën që pasi pa Maignan të presë penalltinë e tij në barazimin 1-1 mes Romës dhe Milanit, kërkoi menjëherë zëvendësim me argjentinasin që preku kofshën për shkak të një dëmtimi që e mbajti jashtë fushave për 3 javë. Akoma më keq i pati shkuar Gianluca Viallit që në 1993, nga penalltia e gjuajtur në sfidën mes Romës dhe Juventusit, pësoi një frakturë të metatarsit.

Top Channel