Erion Veliaj nuk mori pjesë në seancë, shtyhet sërish gjyqi në GJKKO/ Ajola Xoxa kërkoi pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 63 ditë pas lindjes së fëmijës, gjykata e rrëzon

07/07/2026 12:03

Ka përfunduar në GJKKO seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj, teksa u shty sërish procesi.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se kryebashkiaku nuk mori pjesë në seancën e gjyqit në themel, kjo bazuar edhe nga deklarata e tij e mëparshme se “pa e nxjerrë nga kafazi i xhamtë” nuk do të paraqitet në seancë.

Gjykata, pasi u tërhoq në Dhomë Këshillimi për të shqyrtuar kërkesën e avokatëve të Ajola Xoxës, për pezullimin e shqyrtimit gjyqësor me 63 ditë pas lindjes së fëmijës, mori vendimin për rrëzimin e kërkesës.

Sipas gjykatës, që prej depozitimit të kërkesës për gjykim në themel, Ajola Xoxa nuk ka marrë pjesë personalisht në asnjë seancë, por është përfaqësuar nga mbrojtësit e saj ligjorë.

Gjykata vlerësoi se është provuar fakti që ajo ka lindur me ndërhyrje kirurgjikale më 29 qershor. Për këtë arsye, me qëllim garantimin e së drejtës për të qenë e pranishme në proces, vendosi shtyrjen e seancës. Ndërsa kërkesa për pezullimin e gjykimit u rrëzua.

Po ashtu, trupa gjykuese vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Erion Veliajn deri në zhvillimin e seancës së radhës, të caktuar më 21 korrik, në orën 10:00.

Nga ana tjetër gjykata ka konstatuar gjatë seancës që Veliaj nuk do të marrë pjesë, por do të përfaqësohet nga avokati i tij.

Gjykata: Veliaj ka dijeni për seancën e sotme, ai bën me dije se ka marrë dijeni dhe deklaron se dëshiron të përfaqësohet nga avokati Plarent Ndreca, i cili është prezent. E pandehura Ajola Xoxa nuk është e pranishme por përfaqësohet nga avokatët e saj.

Avokati i Ajola Xoxës: E pandehura ka shprehur qëndrimin e saj pasi bën prezent faktin se në 29 qershor ka kryer lindje me cezarian dhe për këtë arsye nuk mundet të komunikojë lirshëm. Për këtë arsye kërkon shtyrjen e seancës referuar Kushtetutës për të drejtën e nënës dhe për shkak të rrethanave objektive referuar edhe kodit të punës, ligjit për sigurimet shoqërorë ku flitet për leje lindjeje prej 63 ditësh.

Ajola Xoxa ka shkruar një deklaratë që e lexon avokati i saj: Unë kërkoj të jem vetë e pranishme dhe kërkoj pezullimin e shqyrtimit deri sa të përfundoj lejen prej 63 ditësh që ma garanton ligji.

SPAK: Nga ana e avokatit të të pandehurës u kërkua pezullim i shqyrtimit gjyqësor deri sa të përfundojë leja. Kodi i procedurës penale nuk e njeh pezullimin për këto shkaqe. Por nga ana tjetër e pandehura shpreh dëshirën të paraqitet vetë. Është fakt që seanca ka nisur në shtator dhe e pa dehura nuk është paraqitur në asnjë seancë të vetme. Nëse gjykata e çmon të arsyeshme le të ndajë çështjen në ngarkim të të pandehurës Ajola Xoxa nga të pandehurit e tjerë.

Avokati i Xoxës: Presim që gjykata të shprehet. Vetë dispozita e lejoj pezullimin e gjykimit, ka mjaft raste për-shembull kur caktohet një ekspert apo kur i pandehuri ka probleme shëndetësore pezullohet shqyrtimi gjyqësor. Në rastin e nënës qe ka lindur me prerje cezariane, derisa ajo është me raport mjekësor si për çdo nënë që lind kështu, ligji e kërkon që të shtyhet seanca dhe të pezullohet gjykimi. Nëse gjykata mendon ta ndajë çështjen nga të tjerët mendojmë qe s’di ketë ekonomi gjyqësore.

Avokati Maks Haxhia: Për ta saktësuar ne kërkojmë pezullim të të gjithë procesit derisa të përfundojë leja e Xoxës.

Top Channel