“Po i testoja, ne kemi qenë gjithmonë pranë tyre”/ Trump nuk i kursen kritikat për vendet e NATO-s: S’do vija fare nëse samiti nuk do mbahej në Turqi
Gjykata e Apelit në Paris ka lënë në fuqi dënimin për mashtrim ndaj lideres së partisë së ekstremit të djathtë Partia Nacionale (RN), Marine Le Pen, një vendim që mund të rrezikojë kandidaturën e saj në zgjedhjet presidenciale të Francës në vitin 2027.
Gjykata vendosi për Le Pen një ndalim 15-mujor nga funksionet publike, ku përfshihet edhe një vit me mbajtje të një pajisjeje elektronike monitorimi.
Çështja lidhet me akuzat për përdorimin e fondeve të Parlamentit Europian për të paguar punonjës të partisë së saj në Francë, në vend që ata të kryenin detyrat e asistentëve parlamentarë.
Në gjyqin fillestar, Le Pen dhe 24 persona të tjerë, përfshirë ish-deputetë europianë, asistentë dhe kontabilistë, u shpallën fajtorë për një skemë që, sipas gjykatës, ka funksionuar gjatë periudhës 2004-2016.
Vendimi i parë kishte parashikuar për Le Pen një ndalim pesëvjeçar nga postet publike dhe një dënim me katër vite burg, dy prej të cilave të pezulluara.
Gjatë procesit të apelimit, Le Pen ka mohuar se Partia Nacionale kishte krijuar një sistem për përvetësimin e fondeve europiane, duke deklaruar se partia kishte vepruar në “mirëbesim të plotë”.
Ajo e ka cilësuar çështjen si një “gjueti shtrigash” ndaj saj dhe partisë së saj, ndërsa disa mbështetës të saj kanë dërguar edhe kërcënime ndaj gjyqtarëve.
Prokurorët, megjithatë, argumentuan se pas marrjes së drejtimit të partisë nga babai i saj Jean-Marie Le Pen në vitin 2011, Marine Le Pen e kishte kthyer këtë mënyrë përdorimi të fondeve europiane në një sistem të organizuar.
Vendimi i gjykatës së apelit vjen në një moment vendimtar për politikën franceze, pasi Marine Le Pen ishte një nga figurat kryesore të garës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Nëse ajo nuk mund të kandidojë, partia e saj ka si alternativë liderin e ri Jordan Bardella.
Top Channel