Rritja e shpenzimeve ushtarake forcon NATO-n, Rutte: SHBA ka sot një partner më të fortë në Europë

07/07/2026 14:17

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Europa është sot një partnere shumë më e fortë për Shtetet e Bashkuara sesa ishte pesë vite më parë, falë rritjes së investimeve në mbrojtje nga vendet aleate.

Gjatë një diskutimi me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në kuadër të samitit të NATO-s në Turqi, Rutte theksoi se aleanca nuk mund të mbështetet më në mënyrë të tepruar te SHBA. “Nuk mund të vazhdojmë të jemi tepër të varur nga Shtetet e Bashkuara. Na duhet një Europë dhe një NATO shumë më e fortë”, u shpreh ai.

Sipas Rutte, një nga prioritetet kryesore të NATO-s është zgjerimi i industrisë së mbrojtjes në Europë, Kanada dhe SHBA, ndërsa shtoi se në disa vende europiane tashmë janë hapur linja të reja prodhimi për pajisje ushtarake.

Ai e cilësoi këtë zhvillim si transformimin më të madh të Aleancës që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. “Europa po merr shumë më tepër përgjegjësi brenda NATO-s. Sot kemi një aleancë të transformuar, ku SHBA ka një partner shumë më të fortë në Europë. Kjo e bën të gjithë NATO-n më të fortë”, deklaroi Rutte.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur aleatët e NATO-s po shtojnë investimet në mbrojtje dhe po synojnë forcimin e kapaciteteve ushtarake përballë sfidave të sigurisë.

Top Channel