“300 spartanët” anglezë në Meksikë, nga zëri i ngjirur i Kane te “Wonderwall” që magjepsi stadiumin

07/07/2026 22:24

Pas ndeshjes kundër Meksikës, lehtësisht mund të ndërtohet një karusel fotosh me lojtarët anglezë, të cilët, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë pushtuar rrjetin dhe simpatinë e mbarë botës.

“Ironia do të shpëtojë botën”, mund të thoshim duke ripërshtatur Dostojevskin. “Zoti e shpëtoftë Mbretin” (God save the King), këndojnë patriotët britanikë. Nëse do të donim të propozonim një lojë fjalësh për t’ia qepur fiks këtij rrugëtimi të anglezëve në Botëror, do të dilte diçka e tillë: “Ironia save the King”. Duke lënë mënjanë tingëllimin ndoshta jo të përsosur të këtij miksimi gjuhësor, koncepti thelbësor qëndron: ironia po e kthen Kombëtaren angleze në të preferuarën e këtij Botërori.

Zëri i ngjirur i Kane, kënga poshtë tribunave dhe ajo shaka e Stones ndaj Tuchel në dhomat e zhveshjes… Sigurisht, lufta për të rrëmbyer zemrat e publikut ndërkombëtar është e ashpër, mes përrallës së Norvegjisë dhe shumë “vallëzimeve të fundit” të kampionëve të mëdhenj që ngrohin zemrat e të gjithë globit, por Kane me shokë kanë tërhequr nga tufa një as që duket fitues: po rezultojnë simpatikë. Humor i hollë britanik? Një seri situatash të rastësishme dhe thjesht argëtuese? Kushedi. Por, fakti është që pas ndeshjes kundër Meksikës mund të ndërtohet një galeri me fotot e lojtarëve anglezë që, në një formë a në një tjetër, kanë bërë për vete internetin dhe simpatinë globale.

Jo, këtu në fakt nuk ka vend për të qeshur. Por çfarë emocioni është ta shohësh skuadrën të bashkuar si asnjëherë më parë, të mbledhur ngjitur me sektorin e tifozëve anglezë, të kufizuar në një copëz të vogël të “Azteca-s”, duke kënduar me të madhe bashkë me mbështetësit e tyre? “Wonderwall” kthehet në himn kombëtar për disa minuta, ferri i “Azteca-s” fashitet dhe mbetet duke dëgjuar. Meksika është e plagosur nga humbja, por në të njëjtën kohë mbetet e respektueshme dhe e magjepsur nga kënga e atyre pak vetave, e cila jehon dhe amplifikohet nga harkimi i tribunave. Kane si Leonida, “Azteca” si Termopilet, vetëm se këtë herë historia ka një fund ndryshe: 300 spartanët fitojnë, dhe bota përulet.

Top Channel