Zyrtare/ Ndeshja Meksikë–Angli shtyhet për shkak të stuhisë, “Azteca” mbetet në pritje!
Norvegjia shkakton surprizën më të madhe të Kupës së Botës 2026, duke eliminuar Brazilin me rezultatin 2-1 në fazën e 1/8 së finales.
Heroi absolut i sfidës në New Jersey është Erling Haaland, i cili realizon dopietë dhe dërgon skandinavët për herë të parë në çerekfinalet e një Botërori.
Ndeshja nis me ritëm të lartë dhe Norvegjia mendon se kalon në avantazh, por goli i Patrick Berg anulohet për pozicion jashtë loje të Alexander Sørloth.
Brazili fiton më pas një penallti pas ndërhyrjes së Kristoffer Ajer ndaj Matheus Cunha, por Bruno Guimarães dështon nga pika e bardhë, pasi portieri Ørjan Nyland pret goditjen e tij.
Brazilianët krijojnë raste të tjera me Gabriel Martinelli dhe Vinícius Júnior, por Nyland zhvillon një ndeshje të jashtëzakonshme, duke mbajtur portën të paprekur. Në anën tjetër, Martin Ødegaard dhe norvegjezët vazhdojnë të kërcënojnë portën e Alisson Becker.
Në pjesën e dytë, trajneri Carlo Ancelotti aktivizon Endrick, i cili humbet një mundësi të artë vetëm përballë Nyland. Portieri norvegjez vazhdon të jetë vendimtar edhe ndaj Rayan, ndërsa Norvegjia fiton gjithnjë e më shumë terren.
Në minutën e 79-të vjen momenti i shumëpritur. Andreas Schjelderup harkon nga e majta dhe Erling Haaland godet saktë me kokë në shtyllën e dytë, duke kaluar Norvegjinë në avantazh.
Vetëm pak minuta më vonë, sulmuesi i Manchester City vulos fatin e sfidës. Haaland shfrytëzon një tjetër rast dhe me një goditje të saktë me të majtën mposht Alissonin për herë të dytë, duke heshtur pesë herë kampionët e botës.
Brazili arrin vetëm të zbusë humbjen në minutat shtesë. Pas një penalltie të fituar nga Casemiro, Neymar shënon nga pika e bardhë për rezultatin përfundimtar 2-1.
Me këtë dopietë, Haaland ngjitet në kuotën e shtatë golave në Kupën e Botës 2026, duke barazuar Lionel Messin dhe Kylian Mbappén në krye të garës për “Këpucën e Artë”.
Norvegjia siguron kështu kualifikimin historik në çerekfinale, ku pret fituesin e përballjes mes Meksikës dhe Anglisë, ndërsa Brazili largohet nga Botërori dhe regjistron humbjen e shtatë radhazi ndaj skuadrave evropiane në fazat me eliminim direkt të Kupës së Botës.
REZULTATI:
BRAZIL 1-2 NORVEGJI
Neymar (P) 90+10′ / Haaland 79′, 90′
NGJARJET KRYESORE:
90+12′ Mbyllet sfida me fitoren e Norvegjisë 1-2! Brazili jashtë!
90+10′ Goool Brazili 1-2/ Neymar shënon nga pika e bardhë e penalltisë. (Video)
90+8′ Gjyqtari akordon 11-metërsh për Brazilin pas një faulli në zonë.
90′ Akordohen 7 minuta shtesë.
90′ Goool Norvegjia 0-2/ Haaland provon me një gjuajtje nga distanca dhe shënon të dytin. (Video)
86′ Casemiro merr një top në zonë, por mesfushori as godet dhe as pason, duke shpërdoruar një mundësi të artë.
79′ Goool Norvegjia 0-1/ Pas një krosimi në zonë, Haaland godet me kokë dhe tund rrjetën. (Video)
75′ Schjelderup godet brenda zonës dhe ndalet nga Alisson.
68′ Dy zëvendësime te Brazili. Largohen Ryan dhe Martinelli, në vendet e tyre futen Danilo Santos dhe Neymar.
59′ Vinicius jep një top mjaft të bukur te Endrick, i cili del i vetëm përpara portierit, duke goditur jashtë. (Video)
46′ Nis pjesa e dytë!
45+6′ Mbyllet pjesa e parë!
45+3′ Odegaard merr një top në zonë dhe godet, por ndalet nga Alisson.
45′ Akordohen 6 minuta shtesë.
40′ Vinicius merr një top në zonë dhe godet me të djathtën, por ndalet nga Nyland.
35′ Odegaard provon me një gjuajtje brenda zonës, por topi shkon jashtë.
14′ Bruno Guimaraes gabon nga pika e bardhë. Ndalohet nga portieri Nyland. (Video)
12′ Cunha pengohet në zonë. Pas rishikimit me VAR, gjyqtari akordon 11-metërsh për Brazilin.
3′ Sorloth jep një top brenda në zonë, me Berg që e çon në rrjetë, por anësori i prish festën për pozicion të parregullt. (Video)
1′ Starton sfida!
FORMACIONET ZYRTARE:

Top Channel