Funerali i Khameneit, ministri Katz paralajmëron Teheranin: Kush kërcënon Izraelin do të eliminohet
Kina ka testuar një raketë balistike me një kokë luftarake artificiale në Oqeanin Paqësor, vetëm pak orë pasi Australia dhe Fixhi nënshkruan një marrëveshje të re mbrojtjeje.
Zhvillimi ka rritur tensionet në rajonin Indo-Paqësor, ku rivaliteti strategjik mes Pekinit dhe Kanberrës vazhdon të intensifikohet.
Sipas autoriteteve kineze, lëshimi i raketës ishte pjesë e programit të zakonshëm vjetor të stërvitjeve ushtarake dhe nuk kishte në shënjestër asnjë shtet apo objektiv të caktuar. Megjithatë, ministrja e Jashtme e Australisë, Penny Wong, e cilësoi testin si një veprim destabilizues, duke theksuar se zgjerimi i kapaciteteve ushtarake të Kinës shoqërohet me mungesë transparence dhe krijon pasiguri në rajon.
Testi u zhvillua në të njëjtën ditë kur Australia dhe Fixhi formalizuan Aleancën e Oqeanit të Paqësorit, traktatin e parë të mbrojtjes për Fixhin dhe të katërtin për Australinë, pas marrëveshjeve me Shtetet e Bashkuara, Zelandën e Re dhe Papua Guinenë e Re.
Sipas kryeministrit australian Anthony Albanese, marrëveshja do të mbështetet me mbi një miliard dollarë australianë gjatë dhjetë viteve të ardhshme për luftën kundër krimit ndërkombëtar, forcimin e sistemit shëndetësor dhe zhvillimin e infrastrukturës në Fixhi. Ai e cilësoi traktatin si një nga nismat më të rëndësishme të Australisë me një partner rajonal.
Nga ana e tij, kryeministri i Fixhit, Sitiveni Rabuka, e përshkroi marrëveshjen si një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se ajo nuk synon të dëmtojë lidhjet e Fixhit me Kinën.
Australia ka shtuar përpjekjet për të forcuar partneritetet në Paqësor që prej vitit 2022, kur Kina nënshkroi një pakt sigurie me Ishujt Solomon. Ky zhvillim ngriti shqetësime në Canberra dhe te aleatët e saj për mundësinë e krijimit të një baze ushtarake kineze në rajon.
Në kuadër të kësaj strategjie, Australia ka nënshkruar së fundmi edhe një partneritet strategjik me Vanuatun dhe po zhvillon bisedime për marrëveshje të reja me Ishujt Solomon dhe vende të tjera të Paqësorit. Kryeministri Anthony Albanese pritet të vazhdojë turneun e tij diplomatik në rajon me vizita në Ishujt Solomon, Tonga, Samoa dhe Papua Guinea e Re.
Rivaliteti mes Australisë dhe Kinës për ndikim në rajonin Indo-Paqësor mbetet një nga çështjet kryesore gjeopolitike, ndërsa të dyja palët vijojnë të forcojnë praninë e tyre ushtarake dhe diplomatike në ishujt e Paqësorit.
Top Channel