Flakët “pushtojnë” Spanjën e Portugalinë, Greqia paralajmëron: Tym toksik nga zjarret

06/07/2026 13:15

Zjarret pyjore kanë vazhduar të përhapen në Europën Jugore, duke detyruar mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre dhe duke i shtyrë autoritetet franceze të ndalojnë praninë e spektatorëve në një etapë të garës çiklistike Tour de France.

Qindra zjarrfikës po luftojnë me flakët që kanë shkatërruar më shumë se 190 kilometra katrorë tokë në Portugali, Spanjë, Francë dhe Greqi, e kjo, në një kohë kur temperaturat pritet të rriten sërish, duke arritur deri në 40 gradë celsius në disa zona që ende po përballen me pasojat e valës rekord të të nxehtit të javëve të fundit.

Pranë qytetit Perpignan, në jugperëndim të Francës, rreth 700 zjarrfikës, të mbështetur nga avionë të specializuar, po përpiqen të vënë nën kontroll një zjarr të përshkruar si “gjigant”, i cili po përhapet me shpejtësi në një zonë të vështirë për t’u arritur. I favorizuar nga erërat e forta, temperaturat e larta dhe ajri jashtëzakonisht i thatë, zjarri pothuajse është trefishuar në përmasa që nga mëngjesi i së dielës, duke djegur 46 kilometra katrorë dhe duke plagosur një zjarrfikës dhe një banor, sipas autoriteteve lokale.

Zjarri iu afrua shtëpive deri në 300 metra. U tronditëm nga shpejtësia me të cilën u përhap; ishte e frikshme, na pushtoi paniku”, u shpreh Paco Paez, banor i zonës.

Në Spanjë, një zjarr pranë bregdetit verilindor të Costa Brava ka djegur më shumë se 2.200 hektarë në vetëm dy ditë. Zjarrfikësit paralajmëruan se operacionet do të bëhen edhe më të vështira për shkak të rritjes së temperaturave dhe pranisë së shumë vatrave ende aktive brenda perimetrit të zjarrit. Në Portugali, shërbimet e emergjencës njoftuan se kanë vënë nën kontroll rreth 80% të një zjarri që ka shkatërruar afro 13.000 hektarë pyje dhe shkurre në veri të vendit.

Ndërkohë, në  Greqi, një zjarr pyjor pranë Selanikut përfshiu gjatë fundjavës dy fabrika, duke detyruar autoritetet të evakuojnë zonën përreth. Për shkak të tymit të dendur dhe substancave të rrezikshme të çliruara nga djegia e objekteve industriale, banorëve iu kërkua të mbajnë dritaret e mbyllura, me autoritetet që paralajmëruan se tymi që po lëshohet për shkak të flakëve, është toksik.

 

Top Channel