Spanjë-Portugali, beteja e zjarrtë iberike ku në lojë është një vend për në çerekfinale

05/07/2026 20:48

Fati deshi që Spanja dhe Portugalia të përballen mes tyre në 1/8 e finaleve të Botërorit 2026. Bëhret fjalë për një derbi të zjarrtë iberik mes dy prej skuadrave favorite për triumfin final për titullin. Një derbi iberik është edhe një klasike dhe kjo do të jetë hera e 42 që këto dy skuadra do të përballen mes tyre.

Në fakt Portugalia do të bëhet skuadra me të cilën është përballur më shpesh Spanja, duke lënë pas Italinë me 41 dhe më pas vjen Franca me të cilën La Roja është përballur 29 herë.

Bilanci në përballjet me Portugalinë sheh në avantazh Spanjën me 18 fitore, 16 barazime dhe 7 humbje, por sfida e fundit mes tyre që ishte finalja e Nations League shkoi për skuadrën e drejtuar nga Roberto Martinez. Beteja iberike do të jetë edhe ajo e dueleve individuale.

Dueli i portierëve

Spanjë-Portugali do të jetë sfida e dy portierëve, Unai Simon kundër Diogo Costas. Nga njëra anë është rekordmeni më i ri i botës. Për momentin Spanja nuk ka pësuar ende asnjë gol në Botërorin 2026 dhe Simon është në kuotën e 519 minutave pa pësuar gol duke lënë pas legjenda si Zenga, Shilton, Casillas, Buffon. Por  edhe kolegu i tij nuk mbetet më pas. Është portieri i tretë më i vlefshëm në planet  dhe rendimenti i tij është shumë i lartë. Në këtë edicion të Kupës së Botës ka pësuar vetëm 2 gola ndaj RD së Kongos dhe Kroacisë dhe është portieri me rentimentin më të lartë ndaj golave të pritshëm sipas Driblab me 2.15. Nëse Portugalia është këtu, një pjesë të mirë të meritës e ka ai.

Cristiano Ronaldo kundër një muri

Një tjetër duel që ka kjo përballje është ajo mes Cristiano Ronaldos kundër Laporte. Deri jo shumë kohë më parë këta lojtarë ishin shokë të një skuadre (2023-2025) kurse këtë të hënë do të jenë kundër njëri-tjetrit. Legjenda portugeze po shkon drejt kufirit të 1000 golave dhe do të jetë kundër liderit të heshtur të Spanjës që është shfaqur me një mbrojtje të hekurt deri tani. Cristiano Ronaldo ka shënuar 4 gola ndaj Spanjës  në karrierën e tij dhe e sheh këtë botëror si mundësinë e tij të fundit për ta fituar. Nëse kërkohen motivime të Ronaldos, këto janë të shumta por do të duhet të kalojë një mur si Laporte. Ky i fundit së bashku me Cubarsi kanë bërë shumë mirë deri në këte moment. Laporte në fakt është qendërmbrojtësi i tretë më përqindjen më të lartë të dueleve ajrore të fituar(16 nga 19 ose 84.21%), i dyti për fitoren  e çdo lloj dueli(24 nga 34 ose 73.35%).

Lamine Yamal dhe kriptoniti i tij?

Por dueli më spektakolar do të jetë në krahë dhe bëhet fjalë për përballjen mes Lamine Yamal dhe Nuno Mendes. Një duel që shënjohet me rreth të kuq për sulmuesin e Barcelonës. Ai vjen në këtë ndeshje si MVP i sfidës me Austrinë, por pa u ndjerë si i tillë. Por ka hapësira për t’u përmirësuar edhe pse është tashmë dribluesi më i mirë i Botërorit me 26 driblime. Por këtë radhë ai do të ketë përballë kriptonitin e tij, Nuno Mendes që e mbajti të lidhur në finalen e Nations League duke mos e lënë të shkëlqeje. 

Dueli i inteligjentëve

Edhe këtu sfida është e jashtëzakonshme, Pedri kundër Vitinhas, dy prej mesfushorëve më të mirë të planetit,  2 kandidatë për Topin e Arte që po shënojnë epokën e tyre te Barcelona dhe PSG që menaxhojnë, diktojne ritmin e lojës. Dy futbollistë që janë në gjendje që të bëjnë diferencën në fushë. Pedri vjen pas ndeshjes me Austrinë ku bëri paraqitjen më të mirë në këtë kupë bote, teksa tregon se nuk është vetëm elegant, por edhe një luftëtar(futbollisti i dytë me më shumë rikuperime të topit në fushë kundërshtare, 23). Vitinha në këtë turne nuk po shfaqet si ai i PSG, por talenti i tij i jep qetësi Portugalisë. E megjithatë ai është futbollisti i 9 me më shumë pasime të kryera(326) dhe i dhjeti për krosimet e dërguara në gjysmëfushën kundërshtare me 43. Aftësia e tij për të impostuar lojën do të diktojë ritmin dhe ndoshta dhe do t’i japë fitoren skuadrës së tij.

Dhe ‘faktorët X’

Por ka ndeshje ku taktika bëhet konfuze dhe shfaqen futbollistë që sfidojnë logjikën ndryshojnë ritmin, çorganizojnë kundërshtarët dhe krijojnë hapësira. Janë faktorët X që jo domosdoshmërisht janë titullarë(edhe pse mund të jenë) për të qenë vendimtare. Dhe këtu kemi Dani Olmon dhe Bernardo Silvën. Talente të pastër në etapa të ndryshme të jetës së tyre, por të aftë për të minuar çdo skemë. Fluiditeti i lojës së Spanjës kalon nga Olmo, prania e të cilit deri tani ka ndryshuar gjithçka: me të në fushë, La Roja ka pasur minutat më të mira në lojën e saj. Ndërsa Bernardo Silva ka pasur një rrugëtim ndryshe nga spanjolli me një rëndësi gjithnjë e në rritje dhe duke zhvilluar minuta të shkëlqyera ndaj Kroacisë që e konfirmojnë si barometrin e Portugalisë.

Top Channel