Zjarri në Drizë vihet nën kontroll, monitorimi do të bëhet edhe gjatë natës, mbi 100 ha ullishte dhe shkurre të shkrumbuara
Qytetarët u mblodhën edhe sot para Kryeministrisë, në ditën e 36 të protestës.
Ata kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe qeveri teknike.
“Ju lutem qëndroni të bashkuar, diaspora është me ju”, u shpreh një prej qytetarëve teksa fliste në podiumin e improvizuar poshtë zyrës së kryeministrit Rama.
Ndërkohë sot janë liruar edhe protestuesit e arrestuar ditën e enjte pas tensioneve dhe dhunës para Kuvendit.
“Unë jam një nga të arrestuarit në 2 korrik. Jemi arrestuar në mënyrë të paligjshme, kemi qenë te Kuvendi dhe kemi kërkuar informacion për një prej protestuesit dhe jemi dhunuar. Ata që kanë qenë në Bllokun e Sigurisë kanë pësuar dhunë, nuk na është ofruar as ndihma mjekësore. Ata atje nuk janë huliganë, nuk janë kundër ligjit, ata djem janë kundër autokracisë, janë për shtetin ligjor dhe për ta kthyer Shqipërinë në shinat demokratike”, tha një prej personave që u arrestua e sot u la i lirë.
“Duhet të organizohemi sa më parë, të krijojmë një pol të tretë. Jemi në vitin 1991 sërish, por kësaj here kërkojmë liri demokraci dhe e duam Shqipërinë si gjithë Evropa seriozisht. Ju them që mund të krijohen disa lëvizje dhe qëllimi është të përkthehen në parti politike. Sa më shpejt ta realizojmë, aq më shpejt ndodh përmbysja e këtij sistemi. Intelektualë mos qëndroni indiferentë, është momenti për të reaguar, bëni zgjedhjen tuaj”, tha një tjetër qytetare.
Pas rreth tre orësh te Kryeministria ata nisën marshimin nëpër rrugët e kryeqytetit, tashmë të kthyer në “ritual”.
Top Channel