Sa faqe historie janë shkruar në këtë Botëror, por askush nuk flet për Thibaut Courtois

04/07/2026 21:30

Belgjika ka avancuar në Botërorin 2026 pa bërë shumë zhurmë, por edhe pa shkëlqyer shumë. Kualifikimi dramatik për në 1/8 e finaleve pasi mundi Senegalin në shtesë tani do të përballet me një nga vendet organizatore, SHBA që po shfaq një rendiment të jashtëzakonshëm.

Një prej shtyllave të skuadrës belge, është Thibaut Courtois. Portieri i Realit të Madridit është shfaqur në momentet më delikate të skuadrës. E bëri në ndonjë nga barazimet që mund të kishin përfunduar në humbje, psh në ndeshjen me Iranin dhe shpreson që ta bëjë edhe që nga ky moment, në raundet me eliminim direkt

Belgu është përballë mundësisë që të bëhet portieri me më shumë ndeshje në Kupën e Botës. nëse Belgjika do të arrijë deri në finale, Courtois do të shkojë në 23 ndeshje dhe do të kalonte Manuel Neuer që është eliminuar tashmë. Ajo ndaj SHBA, është ndeshja e 20 e Courtois në kampionatet botërore dhe e vendos Courtois në vendin e dytë, bashkë me Hugo Lloris që është ndalur pikërisht në 20 ndeshje.

Courtois po zhvillon botërorin e tij të katërt në Botëror. Në 3 edicionet e mëparshme ka pasur rëndësinë maksimale. Që nga 2014 e deri tani në 2026 ka qenë gjithnjë portieri pikë referimi i belgëve në Botërorë. Mungoi vetëm në Euro 2024 për shkak të një dëmtimi, ndërkohë që më pas qëndroi për pak kohë larg kombëtares për shkak të divergjencave që ka pasur me trajnerin e mëparshëm Domenico Tedesco. Me t’u larguar ky i fundit, Courtois u kthye te Red Devils.

Në një turne ku i gjithë fokusi është te yjet, shumë prej të cilëve janë shpallur edhe MVP të ndeshjeve, për gjigantin belg thuajse askush nuk flet edhe pse është sërish mes portierëve më të mirë të Botërorit.

Top Channel